![Pas SHBA-ve edhe Britania konfirmon: Asociacioni nuk është “Republika Srpska”, të bëhet sipas Kushtetutës](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/10/IMG_8902.jpeg)
I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Britania e Madhe e dënon sulmin e grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator si një incident shumë serioz dhe kërkon hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë. Në këtë intervistë, ai ka folur edhe rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Peach ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk është “krijim i një Republika Srpska të dytë”. Ai ka përmendur sërish se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor.”, tha Peach.
Ai ka thënë se Britania e Madhe mbështet Kosovën nëpërmjet pranisë së NATO-s dhe marrëdhënieve të gjithanshme, por ka shtuar se themelimi i Asociacionit është pjesë qenësore.
“Pjesa qenësore e vizionit tonë është të mbështesim ata që do të jenë përgjegjës të hartojnë statutin e asociacionit dhe punën që ata po bëjnë qysh tani. Vazhdojmë ta mbështesim këtë përpjekje përmes procesit të Berlinit, që është një nismë e veçantë, por të gjithë janë të pranishëm, e mbështesim përmes pranisë tonë në NATO dhe përmes marrëdhënieve tona të gjithanshme në tërë Ballkanin në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë.”, tha Peach.