Samiti i Berlinit zhvilloi punimet dje. U diskutuan shumë tema. Në mesin e tyre tërthorazi u përmend edhe sulmi terrorist në Banjskë nga grupi terrorist serb. Megjithatë, shumë vëmendje nuk iu dha këtij zhvillimi. Nuk e përmendi as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
E më konkret për tensionet në veri dhe sulmin terrorist në Banjskë ka folur kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Edhe ai shkurtimisht.
Scholz kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“E di që Shqipëria njihet për mikpritje dhe kjo është vërtetuar sot. Ne kemi kuptuar edhe kur kemi pasur takimin e Këshillit Evropian. Dua të iu falënderoj për këtë përgatitje të samitit dhe shumë takime të nivelit të lartë gjatë muajit të fundit. Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë për të përshpejtuar integrimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit. Ky vlerësim është po aq i vërtetë sot sa ka qenë edhe vjet. Ky është forum bashkëpunimi, dhe kërkohet më shumë kurrë”, tha Scholz.
“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar sa e rëndësishme është të flasim me një zë evropian. Siç e përmendët edhe ju, është shumë e qartë se ne jemi të ulur këtu bashkë kemi një situatë të vështirë jo shumë larg nesh me agresionin e Hamasit kundër Izraelit. Me të gjitha pasojat, por edhe krizat në Kosovë në Ballkan kanë theksuar nevojën për të punuar më fortë së bashku. Ka ardhur koha për të tejkaluar konflitket, dhe ju mbajnë në vend-numëro. Këto përshkallëzime në veri kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Duhet të përfundojmë zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në BE. Është sinjal i fortë dhe kjo thekson pronësinë që ka rajoni në këtë process. Duhet ta shfrytëzojmë këtë rast për t’u përqendruar te integrimi brenda rajonit dhe ecuria më tutje”, deklaroi ai më tutje.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen është pyetur në Tiranë nëse Serbia do të përballet me sanksione për shkak të sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë.
Von der Leyen ka thënë se e dënojnë ashpër sulmin e tmerrshëm, por ka thënë se aktualisht janë duke i pritur rezultatet e hetimeve.
“Aktualisht jemi në një proces në të cilin duhet të përcaktohen faktet në lidhje me sulmin. Jemi në pritje të rezultateve të hetimit dhe në bazë të tyre do të vendosim për hapat e ardhshëm, natyrisht në koordinim me të gjitha vendet anëtare”, tha Von der Leyen.
Të njëjtën gjë theksoi edhe kancelari gjerman teksa shtoi se sulmi ndaj forcave të policisë së Kosovës është diçka që BE dhe Gjermania nuk e pranojnë.
“Nuk do t’i shtoj shumë asaj që tha Ursula; e dënojmë sulmin ndaj forcave të policisë së Kosovës. Është diçka që nuk do ta pranojmë dhe është e qartë se vendet e BE dhe Gjermania nuk pranojnë një gjë të tillë. Kërkojmë hetime intensive nga autoritetet e Kosovës dhe një bashkëpunim të autoriteteve serbe për këto hetime”, tha Scholz.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka deklaruar se një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.
Kryeministri ka shtuar se qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku.
“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ka thënë kryeministri Kurti.