
“A mundet Dinamo të rrokulliset disi deri në dimër, e më pas të godasë me transferime në treg”, është pyetja që shqetëson të gjithë tifozët e Dinamo Zagrebit pasi klubi i tyre po mundet ndeshje pas ndeshje.
Zdravko Mamiq është sundimtari afatgjatë i Dinamo Zagrebit, i cili aktualisht është në arrati për shkak të tërheqjes së së paku 116 milionë kunave (15.39 milionë euro) nga ky klub.
Megjithatë, ndikimi i tij ishte një pikë referimi – jo vetëm në Kroaci – por për të gjithë në Ballkan. Ishte Mamiq i pari ai i cili arriti të nxirrte futbollistë dhe t’i shiste ata për shuma që mbetën ëndrra për klubet e tjera ballkanike.
Mirëpo, fakti që ai është në arrati nuk do të thotë se e ka harruar Dinamon. Madje, pas shumë kohësh, ai ka treguar se e ka shikuar humbjen historike të Dinamos në mes të Prishtinës kundër Ballkanit.
Mamiq mbeti pa fjalë pas debaklit të Dinamos në Prishtinë.
Në Facebook ai ka publikuar hitin e famshëm kroat të cilin e ka realizuar bendi ‘CRVENA JABUKA’, me titull: “Ajo hodhi gjithçka në lumë”.
Publiku në rrjetet sociale ka reaguar me një ortek komentesh, ndër të cilët nuk kanë munguar ata që kanë kërkuar kthimin e tij në Zagreb për të “shpëtuar Dinamon”.
Kujtojmë, Mamiq aktualisht ndodhet në Bosnje-Hercegovinë, ku u largua pasi u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg për përvetësim të së paku 116 milionë kunave nga klubi.