![Përfundon aksioni në pronat e Radojeçiqit, konfiskohen dy vetura](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/09/IMG_7526.jpeg)
Ka përfunduar aksioni i policisë së Kosovës në katër zona, ka konfirmuar për portalin serb “Kossev” zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ai ka thënë se për momentin nuk mund të japë detaje se ku dhe nëse dhe çfarë është gjetur.
“Operacioni i cili është realizuar në pesë lokacione, në tri komunat veriore, ka përfunduar para pak çasteve”, ka thënë ai. Transmeton Gazeta Projekti.
Të gjithë pjesëtarët e njësive speciale si dhe oficerët e misionit EULEX janë larguar nga rruga ku ndodhet restoranti “Grey”.
Supozohet se policia ka sekuestruar disa automjete nga garazhi nëntokësor i kësaj ndërtese, dy prej të cilave janë me targa të Beogradit dhe një pa targa, transmeton Paparaci.
Në dy raste, pjesëtarët e policisë kanë nxjerrë nga objekti qese letre, me përmbajtje ende të panjohur.
Ndërkohë, policia e Kosovës ka konfirmuar se me urdhër të gjykatës për kontroll, bastisjet po kryhen në gjithsej pesë lokacione në tri komuna në veri.
Ata po ashtu konfirmojnë se në vendin e ngjarjes është prezent edhe prokurori, dhe se kontrollet po bëhen në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.
Qytetarëve u është thënë nga policia se nuk duhet të shqetësohen.
Sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, policia ka hyrë edhe në shtëpinë e një personi në Zveçan që është i lidhur me nënkryetarin e Listës Serbe, përndryshe një nga të ashtuquajturit “lideri i tifozëve”.
Përveç Policisë së Kosovës, në rrugë janë parë edhe një numër i madh i veturave të EULEX-it.