Socialistët kanë nisur festën në Kukës, pasi kandidati Albert Halilaj fitoi me një avantazh të thellë ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Emri Vatës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 74 kuti të numëruara, Albert Halilaj grumbulloi 13025 vota, ndërsa kandidati i “Bashkë Fitojmë”, 7431 vota.
“Ju premtoj që do të jem krah kuksianëve për t’i mbështetur në të gjitha problematikat. Unë jam djalë i Kukësit, do i përfaqësoj vetëm nëpërmjet punës. Qytetarët e Kukësit treguan që kanë vlera, nuk patën asnjë incident. U jam borxhli të gjithë kuksianëve”, u shpreh Halilaj, kryebashkiaku i sapozgjedhur i Kukësit.
Fitorja e Halilajt ishte më e thellë se ajo e Safet Gjicit në 14 maj, i cili mori 11.632 vota, 2040 vota më shumë se kandidati tjetër i “Bashkë Fitojmë”, Admir Sinamati.
Gjici u shkarkua pak muaj pasi mori drejtimin e bashkisë, për shkak të përfshirjes në skandalin seksual në zyrën e tij.