Vlora Çitaku, ish-zëvendësministre e Jashtme dhe për pak muaj ministre e Jashtme në detyrë, ka reaguar pasi ajo thotë se Ministria e Jashtme dhe Diasporës, e cila aktualisht udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Schwartz, ka fshirë nga historiku në web faqe tërë aktivitetet, emrat, dokumentet dhe fotografitë e ministrave paraprakë.
“Ministria e Punëve të Jashtme paska zhdukur nga historiku në web faqe tërë aktivitetet, emrat, dokumentet dhe fotografitë e Ministrave paraprakë (përveç Glauk Konjufcës dhe Donika Gërvallës)”, ka shkruar Çitaku.
“’Zhdukja’ e paralajmëruar nga Kurti, tashmë paska filluar”, ka ironizuar nënkryetarja e PDK-së.
“Kjo lloj sjellje është mjerim dhe marrëzi. Historia as nuk retushohet e as nuk zhduket. Jo në vitin 2023”, shkroi Çitaku.
Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ekzistojnë të gjithë emrat e ish-ministrave, por fotografitë dhe biografia u janë fshirë – por në mesin e tyre është edhe ish-ministri Glauk Konjufca – as këtij të fundit nuk i figuron asgjë tjetër përveç emrit.
Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme, pas sulmit që kishte pasur kohë më parë, ka sqaruar që është ende duke punuar në ueb faqen e vet zyrtare.