Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) është mbajtur në Heraklion të Greqisë, dhe Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, transmeton Reporteri.net.
Kandidatura e Prishtinës për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mori shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Pro organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë kanë votuar 66 delegatë. 55 votuan pro, tetë kundër, ndërsa tre abstenuan.
Pas përzgjedhjes me shumicë votash të Asamblesë së Përgjithshme të Komunitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare që këto lojëra të organizohen në Prishtinë, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama e quan një lajm fantastik jo vetëm për Prishtinën por për gjithë Republikën e Kosovës.
“Ky është lajm fantastik mbasi këto lojëra Mesdhetare do të jenë ngjarje e madhe sportive për krejt Kosovën”, thuhet në komunikatën për media nga Komuna e Prishtinës.
“Për zhvillimin e ngjarjeve sportive të 24 disiplinave garuese, do t’i përdorim terrenet e sallat sportive edhe në Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Podujevë, e Mitrovicë. Kurse me zhvillimin e garave detare në qytetin e Durrësit, nëpërmjet një partneriteti tejkufitar mes shteteve, që po ashtu do të dëshmohet për herë të parë në historinë e Lojërave Mesdhetare, do t’i shndërrojmë ato në një festë të madhe sportive për krejt kombin tonë. Lojërat Mesdhetare – Prishtina 2030 janë arritje e madhe për Prishtinën, fitore e madhe për Kosovën dhe Festival i madh sportiv dhe jo vetëm për mbarë kombin shqiptar”, ka deklaruar kryetari Rama.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar arritje të jashtëzakonshme organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë në vitin 2030.
“Kosova nikoqire e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Arritje e jashtëzakonshme. Urime të gjithëve”, ka shkruar Kurti me të përfunduar votimi në Heraklion të Greqisë.
Kurti për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030: Arritje e jashtëzakonshme
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka bërë të ditur se Kosova do të jetë shtet nikoqir i Lojërave Mesdhetare më 2030.
“Përgëzime të gjitha palëve të përfshira në procesin e kandidimit. Së bashku, këtë rrugëtim transformativ do ta udhëheqim me shumë përkushtim dhe përgjegjësi”, ka thënë Çeku përmes një postimi në Facebook.
Në Lojëra Mesdhetare marrin pjesë sportistë nga 26 shtete. Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Lojërat e kaluara Mesdhetare u mbajtën në Oran të Algjerisë, vitin e kaluar.