Ka më shumë se dy muaj që ‘mjeku alternativ’, Hetem Ramadani, po i sfidon mjekët shqiptarë, saktësisht endokrinologët, duke thënë se diabetin mund ta shërojë brenda pak ditëve me anë të një diete. Por Ramadani siç duket “dijen” e tij për mjekësinë po e shfrytëzon edhe për sëmundje të tjera, përveç asaj të diabetit. Tash, Ramadani ka filluar t’i trajtojë edhe pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit. Pacientin e parë e ka një 60-vjeçar nga Prishtina. Atë tashmë e ka udhëzuar me terapi. Madje, ky pacient e ka refuzuar edhe kimioterapinë. Ai thotë se në mënyrë strikte do t’i bindet recetës së mjekut alternativ, Hetem Ramadani.
Ka më shumë se dy muaj qëkur B. Arifi, rreth 60 vjeç, nga Prishtina, është diagnostikuar me kancer në mushkëri. Ai është sugjeruar nga mjekët e QKUK-së që të fillojë me kimioterapi. Por Arifi këtë procedurë e ka refuzuar.
Ai para dy javëve ka vendosur t’u nënshtrohet terapive të mjekut alternativ, Hetem Ramadani, duke hyrë kështu me sugjerimin e Ramadanit në një dietë rigoroze që përmban kryesisht ushqime bimore dhe vitamina.
E gjendja shëndetësore e 60-vjeçarit po vlerësohet si e mirë. Djali i këtij 60-vjeçari, A. Arifi, ka deklaruar të mërkurën për Express se babai i tij po i vazhdon terapitë e përshkruara nga “mjeku alternativ”, Hetem Ramadani. Ai ka treguar edhe për terapitë me të cilat po kurohet prindi i tij.
“Terapitë është duke i marrë sipas mjekut. Por me konkludu rreth rezultatit është ende herët për arsye se ende është java e parë. Vitamina ka me pi si dhe ushqim të caktuar”, thotë A. Arifi.
Tutje ai sqaron për vendimin e babait të tij për ta refuzuar kimioterapinë. Procedurë mjekësore kjo e cila është pothuajse e pashmangshme për pacientët të cilët në trupin e tyre bartin kancer.
“Mjekët i kanë thënë që duhet me u futë në kimioterapi, ky nuk ka hy. Ka vendosë me e provu këtë mënyrën tjetër. Për momentin është mirë. Jemi në pritje të analizave. Ai (Hetem Ramadani), i ka thënë se trupi jot e shëron veten”, ka deklaruar djali i pacientit.
Ai thotë se analizat për shëndetin e babait të tij do të dalin gjatë këtyre ditëve.
E janë edhe dhjetëra kosovarë të tjerë të cilët po vuajnë nga sëmundje të ndryshme që po ia mësyjnë klinikës së Hetem Ramadanit, të cilën së fundmi e ka hapur në Tiranë.
E ndërkohë janë 3 fëmijë kosovarë, të cilët vuajnë nga diabeti e që janë duke i përdorur terapitë e Ramadanit. 9-vjeçarja Ariola Maliqi, 15-vjeçari Drilon Kryeziu tashmë po i përdorin këto terapi.
Por, mjekët e QKUK-së në vazhdimësi janë duke i kundërshtuar terapitë e Ramadanit, duke thënë se me to ai po e rrezikon shëndetin e pacientëve. Nga QKUK-ja besojnë se ushqimet e shëndetshme, që nuk e rrisin nivelin e glukozës në gjak, kanë efekt, por kjo nuk është parajsa për diabetikët, sepse metodat e Ramadanit nuk mund ta shërojnë sëmundjen e diabetit, e aq më pak duke ndalur komplet insulinën.
Ndryshe, Hetem Ramadani është njëri nga shqiptarët më të pasur në botë. Ai pohon të ketë kryer studimet për toksikologji-patologji, rrezatim, ndotje akustike. Tutje ai kishte themeluar kompaninë tregtare të naftës “Salbatring International”, pasi kishte migruar në vitet ’90 në Slloveni. /GazetaExpress/