Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ndihmëssekretaren e përgjithshme për operacionet paqeruajtëse në Kombet e Bashkuara, Bintou Keita, me të cilën ka biseduar për temat e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova dhe progresin e arritur për këto dy dekada.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar Kombet e Bashkuara për rolin e tyre të rëndësishëm në fazat e hershme të shtetndërtimit dhe kontributin që kanë dhënë agjencitë që operojnë me këtë emër për shumë projekte dhe procese të rëndësishme për vendin.
“Roli i Kombeve të Bashkuara ka qenë i pazëvendësueshëm në etapat e para të shtetndërtimit dhe arritjes së paqes në vend. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe anëtarësimin e plotë në OKB”, ka thënë Haradinaj.
Po ashtu, Haradinaj ka folur për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e demokracisë, si dhe për integrimin e plotë të komuniteteve jo shumicë në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se vendi ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në promovimin e paqes në rajon.