
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, dje pas fitores së madhe të skuadrës së tij në ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Ludogorets, u prononcua për media, duke thënë se ishte i kënaqur me lojën dhe paraqitjen në fushë, ndërsa për ndeshjen e kthimit tha se nuk e kanë ndërmend ta mbrojnë rezultatin, por të luajnë po lojën e njëjtë sulmuese.
Trajneri Daja tha se duke parë kë kishin përballë, kishin bërë një ndeshje të përsosur dhe se loja e tyre i kishte të gjitha, ndonëse është në dijeni që niveli ra kur i bëri zëvendësimet.
“Kemi zhvilluar një pjesë të parë pothuajse perfekte. Kundërshtarët nuk kishin asnjë rast. Qarkulluam mirë topin. Normalisht me pesë ndërrimet që ramë fizikisht në fundin e lojës. Por e përsëris sërish, këta djem nuk dorëzohen kurrë, janë lojtarë me karakter. Po e thosha në mënyrë figurative se lojtarët japin shpirtin në fushë dhe po kjo ndodhi. Nuk është pak ta dominosh kundërshtarin për 70% të ndeshjes, duke parë se kë kishim përball”, tha fillimisht Daja.
Tutje trajneri shqiptar shtoi se në këtë fazë vitin e kaluar iu kishte munguar fati dhe se shumica e lojtarëve po paraqiteshin për herë të parë në gara evropiane, ndonëse thotë se në ndeshjen ndaj Zalgiris kishin krijuar shumë më shumë raste.
“Vitin e kaluar, shumë prej futbollistëve kishin luajtur për herë të parë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe ishte një përgjegjësi e madhe. Ndaj Zalgiris, na kishte munguar vetëm fati sepse raste kishim krijuar më shumë se në ndeshjet kampionale, ndërsa sot ishim efikas, ndonëse kemi pasur raste të rrisim rezultatin, por jam i kënaqur me lojën dhe rezultatin e arritur.”
Sipas Dajës, 90 minutat në Fadil Vokrri nuk janë të mjaftueshëm dhe se skuadra e tij duhet të tregojë akoma më shumë në ndeshjen e kthimit për ta bërë edhe gjysmën tjetër të rrugës.
“Në ndeshjen kthyese duhet të bëjmë më shumë se në këtë ndeshje, sepse dihet kë kemi përball. Asnjëherë nuk do të shkojmë ta mbrojmë rezultatin. Tashmë kemi bërë gjysmën e rrugës, por nuk kemi arritur asgjë, sepse nuk është e rëndësishme se çfarë ndodhë pas 90 minutave por pas 180 minutave”, tha për fund trajneri Ilir Daja pas ndeshjes së djeshme.