970×90
970×90
970×90
970×90
970×90

Memli Krasniqi: Haradinaj duhet të koordinohet me ne për ta rrëzuar Kurtin, jo njëanshëm

Memli Krasniqi: Haradinaj duhet të koordinohet me ne për ta rrëzuar Kurtin, jo njëanshëm

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se AAK-ja nuk mund të marrë veprime të njëanshme për të tentuar rrëzimin e Qeverisë Kurti, pa pasur koordinim edhe me subjektet e tjera opozitare.

Krasniqi, në një konferencë për media të enjten, foli edhe për deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në Kuvendin e Kosovës ka pyetur PDK-në dhe LDK-në, se pse nuk po e përkrahin mocionin e mosbesimit që është nisur nga partia e tij.

Fillimisht, Krasniqi u shpreh se tendenca për të qenë protagonist në këtë situatë nuk i bën mirë as AAK-së e as partive të tjera.

Sipas Krasniqit, AAK-ja si partia e fundit për kah përkrahja në parlament tha se nuk mund ta imponojë vullnetin politik.

Prandaj, kur është në pyetje një iniciativë e tillë për rrëzimin e kryeministrit Kurti nga pushteti, Krasniqi u shpreh se duhet të ketë diskutim dhe koordinim mes partive.

“E para e punës, presidentja nuk jeton as nuk funksionon në vakum. Presidentja duhet t’i përcjell zhvillimet politike, duke përfshirë edhe qëndrimet politike të partive. Unë kam insistuar në thirrjen e dy seancave të jashtëzakonshme të veçanta me kryeministrin Kurti, edhe pas kidnapimit të tre policëve tanë edhe pas zhvillimeve që ai inicioi në qasjen e tij amatereske në veri. Presidentja qëndrimet tona i di, ne s’i dimë të saj. Ky vend ka nevojë të i di qëndrimet e saj. A është mbështetëse e veprimeve amatoreske të Kurtit?”, pyeti Krasniqi.

Ai shtoi se Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kemi një situatë normale, transmeton Paparaci. “Normaliteti është i nevojshëm, s’kemi normalitet ashtu siç pretendon qeveria”, thotë Krasniqi.

“Partitë politike, secila i kanë qëndrimet e veta, unë ndonjëherë i kuptoj tendencën për të pasur protagonizëm. Tendenca për të luajtur protagonistin pa e pasur mundësi me bo një gjë të tillë mendoj që s’i ndihmon atyre partive, këtë rast AAK-së e aq më pak zhvillimeve në vend”, shtoi Krasniqi.

Për Krasniqin, sot të ndërrohet tema nga situata në veri dhe dialogu me Serbinë për t’u fokusuar te mocioni i AAK-së është gabim. Kjo pasi siç tha ai, situata në veri është e rrezikshme dhe ka potencial që të përshkallëzohet, përcjell Paparaci.

“Haradinaj ka marrë një iniciativë, unë jam kundër iniciativës së tij, por nuk mundet me marrë veprime unilaterale ai që është në fund të skenës politike parlamentare. S’mundesh me imponu vullnetin politik, sepse për këto gjëra duhet të ketë një diskutim, koordinim e pastaj ta shohim a ka rrugë përpara. Është gabim me ndërru temën sot, mocioni është me ndrru temën dhe me humb vëmendjen prej problemeve të mëdha, rreziqet e veriut janë shumë të mëdha, situata ka potencial të përshkallëzimit. Ne çka po bëjmë, hajde merremi me shkarkimin e qeverisë”, shtoi Krasniqi.

“Mirë shumë, ku i ki votat, a duhet me bo diçka që me thonë po boj diçka, apo me bo diçka që me arrit qëllimin”. Krasniqi në fund tha se shpreson që qëllimi i partive opozitare është ta ndërrojnë Qeverinë Kurti, pasi “veç dëme po i sjell Kosovës”.

“Por rrugën s’po besoj që e kemi të njëjtë”.

Related posts