![Escobar me kritika të forta për Kurtin, kursenë kosovarët](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/06/8637E621-7AAA-41CF-A77A-250A1335648B.jpeg)
Emisari i ShBA-ve Gabriel Escobar ka folur sot në Prishtinë para gazetarëve pas takimeve të mbajtura dhe mesazhet e tij ishin mjaft të paqarta e përgjithësuese për Kosovën, megjithëse jo edhe për kryeministrin Kurti me të cilin tha se “po e kanë të vështirë” dhe se i ka futur në “konfuzion total”.
Përfaqësuesi special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Escobar, e pa të udhës në disa raste që të siguronte popullin e Kosovës se nuk e rrezikonte raportin e saj me Amerikën. Problemi ishte te një individ i vetëm. Emri i tij ishte Albin Kurti.
“Më duhet ta përsëris se raporti i Kosovës me Amerikën është raport mes popujve. Dhe ky është raport i fortë. Ne do të vazhdojmë të jemi partneri më i madh…” – e nisi fjalën e tij z. Escobar.
“Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë vështirësie që kemi me kryeministrin, nuk do ta ndikojë atë ndjesi.” – vazhdoi tutje ai.
Ndërkohë, fjalia më rënduese në këtë temë ishte e mëposhtmja:
“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës. Por kjo s’do të thotë që do të qëndrojmë krah një individi që nuk e ndan atë instinkt për të bashkëpunuar e për t’u bashkërenduar.”
Konfuzion total
Escobar u shpreh se si ShBA-ja ashtu edhe BE-ja ishin krejtësisht konfuzë se pse kishte mungesë koordinimi nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Më duhet ta them që jemi në konfuzion total– edhe pse të bashkuar me BE-në – se pse kjo gjë po ndodh. Pse ka mungesë koordinimi dhe fleksibiliteti?” – tha emisari.
“Pse këto ndërtesa, pse kur iu kërkuam koordinim, ata s’u koordinuan? Kjo na tregon se si na shohin neve si partnerë.” – u shpreh tutje ai, duke treguar edhe shembuj se si ShBA-ja kishte punuar nëpër zyre alternative, por pa besuar që e kishte dorëzuar sovranitetin pasi e kishte bërë një gjë të tillë.
Adresim i kritikave se po ‘kënaqet’ Serbia
Jo. Amerika kishte një raport shumë më të mirë me Kosovën se sa me Serbinë. Madje, ky raport ishte i pakrahasueshëm sipas emisarit Escobar.
“Por, do të jem shumë i sinqertë. ShBA-ja ka qenë mbështetësi juaj kryesor. Më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se ne disi po e çojmë marrëdhënien tonë, dhe angazhimin në Kosovë, për favore të Serbisë. Dua të kujtoj njerëzit që Serbia ishte kundër pavarësisë tuaj, ne iu mbështetëm; ishte kundër fushatës për njohje, ne iu mbështetëm; (dhe edhe tash) ishin kundër Këshillit të Evropës, ne iu mbështetëm; ishin kundër zgjedhjeve, ne iu mbështetëm.” – u shpreh ai. Kujtojmë që komente të ngjashme ishin bërë nga krerët më të lartë të shtetit, e deri te figura tjera të partisë në pushtet.
“Nuk e kemi të njëjtën marrëdhënie me Serbinë si me Kosovën. Serbia nuk po kërkon të futet në NATO. Prandaj, ne presim nga Kosova të jetë shumë më përpara.” – argumentoi ai.
Ai u shpreh se Asocaicioni ishte në të mirë të Kosovës, madje duke thënë se kjo do të ndihmonte edhe në shtrirjen e sovranitetit të shtetit në pjesën veriore të vendit.
“Sa herë që flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, krejt çka duan të flasin ata është Serbia. Ne duam të flasim për integrimin.” – theksoi tutje Escobar.
Escobar u shpreh se Qeveria e Kosovës e kishte edhe një draft të statutit të Asociacionit, por të cilin nuk po e shtynte përpara. Në fakt, Kurti më 2 maj e kishte shtyrë përpara (prezantuar) një draft-vizion të Asocaicionit.
“Menjëherë duhet të prezantojnë një draft të statutit për Asociacionin. Menjëherë. Dhe e kanë një, por thjesht nuk duan ta shtyjnë përpara.”
Tutje, ai tha se për takimet që kishin mbajtur do të përpilonin një raport për ta dorëzuar të premten para eprorëve të tyre.
Sidoqoftë, z. Escobar ishte i paqartë kur foli për pasojat apo ndëshkimet që mund t’i vinin Kosovës në rast se nuk dëgjonte këshillat e miqve të saj ndërkombëtar. Në këtë pjesë ai përmendi vetëm çështjen e integrimit evropian.