Sot fillon betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të Kosovës.
Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.
Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.
Në ditën kur do të bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, shtetet e QUINT-it sërish kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.
Përmes një deklarate të përbashkët, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk kërkohet që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thonë shtetet e Quint-it.
Në fund, “pesëshja e madhe” thotë se e mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Edhe ambasadori amerikan në vend, Jeffrey Hovenier, gjatë ditës së djeshme pas një takimi që kishte me kryeministrin Kurti ka deklaruar se duhet të shmanget çdo konflikt dhe përplasje që çon në rritjen e tensioneve me betimin e kryetarëve të rinj në veri.
Hoveniver, tha se Amerika nuk mendon se është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave.
“I kam bërë disa komente edhe gjatë ditës së djeshme, të njëjtat i diskutova edhe sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se kjo gjë duhet të ndodhë në një mënyrë që shmang konfliktet dhe përplaset që mund të qojnë në rritjen e tensioneve në veri”.
“Ne jemi për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë të mirë, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, u shpreh Hovenier gjatë ditës së djeshme.
Aktualisht bëhet e ditur se situata në veri është e qetë dhe po kontrollohet nga Policia e Kosovës çdo person që po qëndron para komunës nga Policia.
Lexoni të plotë deklaratën e QUINT-it:
Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna.
Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.
ReklamaNe mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Komunitetit/Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.