Blerim Vela, shefi i stafit të Presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave zyrtare të Bashkimit Evropian se Kosova shkeli marrëveshjet me shpërbërjen e Ekipit Menaxhues për Asociacionin.
Vela pati një qasje më ndryshe ndaj zyrtarit të BE-së, Peter Stano, duke vënë në pikëpyetje gjykimin e tyre ndaj shkeljeve të mundshme që po bën njëra apo tjetra palë në dialog, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Hej z. Stano”, iu drejtua Vela zëdhënësit të BE-së, “a do të dënoni edhe emërimet e organeve ilegale të përkohshme komunale në Kosovë nga qeveria e Serbisë? Kjo është një shkelje e qartë e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit pasi Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale në Kosovë.”
“Apo, vetëm do merrni shënim edhe për këtë?”, shtoi Vela, duke marrë shkas deklaratën e Stanos se e kanë shënuar si vërejtje votën kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të enjten se vendimi për të shkarkuar ekipin menaxhues “shkel letrën e marrëveshjeve të dialogut”.
Stano theksoi se Marrëveshja është parë e pranuar nga të dyja palët, dhe se ato duhet t’i zbatojnë obligimet.
“Prandaj, vendimi për ta shpërbërë ekipin menaxhues i shkel letrën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut dhe për çdo vendim për Ekipin Menaxhues duhet të ketë pajtim në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai.
Një ditë pasi prezantoi në Bruksel draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, qeveria e Kosovës e shkarkoi nga detyra ekipin menaxhues që ishte themeluar nga qeveritë e kaluara të Kosovës në vitin 2016.
Ekipi menaxhues përbëhej nga katër persona, pjesëtarë të komunitetit serb, Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq. Kordinatore e ekipit menaxhues ishte Danijella Vujiçiq.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit që pati në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tha se draft-statuti i propozuar nga Ekipi Menaxhues nuk mund të pranohej pasi bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Vendimin për shkarkimin e ekipit në fjalë e bëri të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të mërkurën. /