Legjenda e futbollit Kosovar, Fadil Vokrri ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Prishtinë. I ndjeri ishte lindur në vitin 1960 në fshatin Sfeçël të Podujevës. Vokrri mbetet i adhuruar në Kosovë, transmeton Indeksonline.
Biografia e Fadil Vokrrit:
Në vitet e 80-ta, Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës së tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapin të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizanin e Beogradit.
Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare.
Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi.
Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak.
Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamon e Zagrebit.
Vokrri e shpjegonte kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qënë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në rradhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub.
Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”.
Po ashtu vlen të theksohet se Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
-Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.
-Fadil Vokrri në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
-Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.
-Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe tani jeton në Prishtinë.
Në shkurt të vitit 2008 ai u zgjodh president i Federatës të Futbollit të Kosovës, (FFK) me mandat katërvjeçar.
Fadil Vokrri konsiderohet njeriu më meritor për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij europian dhe botëror – UEFA dhe FIFA./Indeksonline/