Ish-kongresisti amerikan, dhe kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joe DioGuardi, në një intervistë ekskluzive për “Interaktiv” të KTV-së, ka folur për atë se si e sheh Kosovën në dekadën e parë të shtetësisë së saj. “Nëse flasim për politikën, fjala e vetme që më bie ndërmend është keq. Ju e dini çka do të thotë keq”, ka thenë DioGuardi, teksa ka shtuar se nuk po sheh zhvillimin e demokracisë.
Ai është shprehur akoma më shumë se kaq kritik për politikanët e Kosovës. “Politikanët nuk arritën të bindnin Evropën që t’u japin shqiptarëve viza për të udhëtuar në Perëndim për të kërkuar punë. Ata mund të shkojnë vetëm në Turqi”, ka thënë për KTV-në nga SHBA-të.
Njëri prej personave më të fuqishëm të lobit shqiptaro-amerikan, shpreh frikën se e gjithë ajo punë e mirë që kanë bërë sikur shkoi kot.
Sipas tij, Kosova, por edhe Shqipëria e kanë një problem si të Rusisë – oligarkinë. “Njerëzit që janë në pushtet, po pasurohen e pasurohen, e njerëzit që thonë se i përkrahin zgjedhësit e tyre, po varfërohen”. DioGuardi thotë se shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen.
“Ata nuk po përfaqësohen nga njerëz që e kuptojnë demokracinë e vërtetë, përfaqësimin e njerëzve, e jo te vetvetes dhe partisë”, ka thënë ai.
“Njerëzit duhet të thonë njëherë e përgjithmonë: nuk na duhet një lëvizje e tillë politike, sepse nuk na përfaqëson më. Ata përplasen edhe në Parlament, sikur të ishte ndonjë shtet afrikan. Po gjuajnë gaz lotsjellës, po e grushtojnë njëri-tjetrin. Për çka po bëhet kjo – luftë personalitetesh? Politika në Kosovë është ngushtuar në dy gjëra, me sa po shoh – personalitete dhe para”, ka thënë më tej ai.
DioGuradi ka thënë gjithashtu se të gjithë e dinë këtu se populli më pro-amerikan në Evropë janë shqiptarët dhe ne nuk duam ta humbasim këtë. “Ata po paguajnë kompani të mëdha lobimi, Thaçi paguan qindra-mijëra në muaj, për të bërë një fotografi aty, një tjetër këtu. Edhe politikanët e tjerë e bëjnë të njëjtën. Pse? Për t’i mashtruar njerëzit? Ata nuk e kanë respektin që thonë se e kanë. Nuk e kanë atë lloj respekti që unë kam parë në të kaluarën për Kosovën”, ka thënë ai.
Ai ka thënë t’i kenë ndihmuar Sali Berishës për të ardhur në pushtet, për t’u bërë president. Por thotë se nuk e dinte një gjë.
“Unë nuk e dija që Sali Berisha ishte i përzgjedhuri i komunistëve për të garuar”, ka thënë DioGuardi.
Kritika të forta ka pasur edhe për Ali Ahmetin e Maqedonisë, që sipas DioGuardit e la të vdesë Marrëveshjen e Ohrit.
Ka folur edhe për kontributin e tij në lirimin e Ramush Haradinajt nga Haga. Nga ky tash pret të shohë se çfarë reformash po ndërmerr për vendin.
“Ose ndoshta vetëm do të bëjë atë çfarë Hashim Thaçi dëshiron, ose dikush tjetër”, ka thënë ai.
Ka thënë se duhet të kthehet shpresa.
“Dëgjo, nuk dua të flas vetëm për gjëra të këqija. Lajmi i mirë është se në Amerikë keni gati 1 milion shqiptaro-amerikanë, shumë prej tyre nga Kosova”.
Kjo është intervista e plotë e KTV-së me Joe DioGuardin:
Zoti DioGuardi, faleminderit për kohën që të flisni për KTV-në.
Faleminderit që erdhët nga Kosova. Nuk kam qenë atje tash e 10 vjet. Më duhet ta gjej një mënyrë si të kthehem pa i fyer politikanët.
Jeni i mirëseardhur çdo kohë.
Njerëzit do të donin që unë të kthehesha dhe kam shumë dëshirë t’i takoj ata, kështu që duhet parë një mënyrë se si ta bëjmë këtë.
Jemi duke e festuar këtë vit përvjetorin e 10-të të pavarësisë. E di që nuk keni qenë atje, por lexoni se çka ndodh. Sa është zhvilluar Kosova në këta 10 vjet?
Varet se si e përshkruani. Nëse flasim për politikën, fjala e vetme që më bie ndërmend është keq. Ju e dini çka do të thotë keq. Nuk po e shoh zhvillimin e demokracisë që besoja se do të vinte në Kosovë, pas punës që kam bërë në Kongres dhe pas punës së të gjithëve në bordin e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane. Ne shpresonim që pas pavarësisë do të fitonim një lloj demokracie, ndoshta jo të nivelit amerikan, por që do të ishte mjaftueshëm e mirë që populli të fliste, jo politikanët, jo partitë, që njerëzit të ishin krenarë që kanë një shtet që ofron punë për ta dhe fëmijët e tyre. Shikoni se çfarë ndodhi në 10 vjet dhe këtë e kam përjetuar pothuajse me lot në sy. Politikanët nuk arritën të bindnin Evropën që t’u japin shqiptarëve viza për të udhëtuar në Perëndim për të kërkuar punë. Ata mund të shkojnë vetëm në Turqi.
Kush dëshiron të shkojë në Turqi tani që Erdogani po sillet si në kohën e Perandorisë Osmane. Ky është njeriu që shkoi në zyrën e Sali Berishës dhe tha: ‘Ku e morët këtë fotografi të Gjergj Kastriotit? Ai është tradhtar. Hiqeni!’, Dhe, çka bëri ai? E largoi. A janë këta shqiptarët që i zgjodhëm për të qenë politikanët tanë, në Shqipëri, Kosovë apo kudo tjetër. Dhe, tani e kemi problemin me Ali Ahmetin në Maqedoni. Çfarë është duke bërë ai? 15 vjet kemi bashkëpunuar me Arbën Xhaferin, një nga politikanët shqiptarë më të mençur. Madje, e lamë që të fliste në një mbledhje të Komitetit, siç e bëmë edhe me Ipshekvin Sopi, që pati një pjesëmarrje të rëndësishme këtu për të treguar se Kosova nuk është vetëm islamike. Nuk kam problem me të qenët mysliman, por serbët po i sillnin këtu vazhdimisht peshkopët duke thënë: Jemi të krishterë, jemi të krishterë. Kongresmeni Heid më tha: Joe, a ka ndonjë të krishterë në Kosovë?
I thashë: po 200.000. Më tha: Sille një peshkop këtu. I thashë që nuk fliste anglisht. Më tha që s’ka problem se marrim përkthyes dhe këtë punë e bëri Faton Bislimi. Na duhej të tregoheshim të mençur për të bërë atë që bëmë. Por, a e humbëm kohën? E gjithë kjo punë e mirë që kemi bërë a shkoi kot? Që partitë politike po i përdorin njerëzit deri në atë pikë sa që njerëzit po dëshpërohen, kanë frikë për vendet e tyre të punës, kanë frikë për të ardhmen e fëmijëve dhe me sa kam dëgjuar, autobusët po largohen me njerëz nga Kosova, sepse nuk e dinë se si mund të qëndrojnë më aty për të mbajtur familjet. Falë Zotit, kemi njerëz të rinj, sikurse Faton Bislimi, të cilin e ndihmuam me shkollimin këtu, në Harvard. I thashë që ne do të ndihmojmë, por ti duhet të kthehesh në Kosovë. Dhe, ai e la familjen e tij në Edmonton dhe u kthye në Gjilan, dhe kjo nuk është e lehtë. Nuk ka ndonjë punë të madhe për të atje, e shpresoj që kjo do të ndryshojë. Ne po punojmë që të shohim se sa shqiptarë të rinj do të mund të edukoheshin këtu në Amerikë dhe që pastaj të jemi në gjendje të themi që nëse doni të ktheheni, do të provojmë që të sigurojmë ca para që ju të jetoni atje, por nuk mund t’ju bëjmë që të ndiheni si politikanë të mëdhenj atje. Sepse, Shqipëria tash, më falni, Kosova, por edhe Shqipëria e ka këtë problem si Rusia – ka oligarkë.
Njerëzit që janë në pushtet, po pasurohen e pasurohen, e njerëzit që thonë se i përkrahin zgjedhësit e tyre, po varfërohen. Më keq se kaq, nuk shohin ardhmëri për familjet e tyre atje, përveç nëse nuk I shërbejnë partisë. Dhe, çka dëshiron partia është: na i sillni gjithë vota e familjes dhe ndoshta ju sigurojmë dy vende pune në Qeveri. Çka është kjo? Vetëm mafia e bën këtë në këtë vend dhe ajo po zhduket. Pra, shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen. Ata nuk po përfaqësohen nga njerëz që e kuptojnë demokracinë e vërtetë, përfaqësimin e njerëzve, e jo te vetvetes dhe partisë. Është e pakuptimtë që të vihet më lista e njerëzve për zgjedhje. Bëjeni si në Amerikë, lejoni çdo individ të thotë: Unë dua të jem përfaqësuesi yt. Unë jetoj afër jush, prandaj votoni për mua. Partitë le të bëhen bashkë, pasi që njerëzit të zgjidhen. A nuk ua treguam ne Kosovës, e Shqipërisë se si funksionin demokracia këtu në Amerikë? Kurrë nuk e harroj kur shkuam në Shqipëri dhe e ndihmuam zgjedhjen e Sali Berishës president. M’u desh të shkoja dy herë, sepse në vitin 1991 komunistët kontrollonin gjithçka. Isha atje me delegacion dhe kur u ktheva, thashë se këto nuk ishin zgjedhje të mira dhe u desh t’i përsërisnim. Unë nuk e dija që Sali Berisha ishte i përzgjedhuri i komunistëve për të garuar. Shikoni videot e mia në YouTube, të viteve 1993-94, intervistat me të.
I thashë: Bëjeni një qeveri të njëjtë me atë në SHBA. Por, ai nuk e bëri. Gjëja e parë që donte të bënte ishte të kontrollonte gjyqtarët, drejtësinë. Çfarë qeverie e bën këtë? Dhe vetëm tash po ndodh vetting me reformën gjyqësore. Dhe, unë isha shumë kritik, pasi që keni pasur shqiptarë nga Shqipëria që vinin këtu për Lutjet e Mëngjesit, që ishin përgjegjës për Gërdecin, për vendosjen e minave aty, njerëz që u shisnin plumba kinezë amerikanëve. Këtë janë njerëz që vijnë tani në Washington për Lutjet e Mëngjesit. Duan të bëjnë fotografi me politikanët këtu. Duan të mashtrojnë njerëzit në Shqipëri, duan të mashtrojnë njerëzit në Kosovë duke u thënë se i njohin në Washington. Po, por çka po bëni me këtë? Si do t’i përfaqësoni njerëzit? Për këtë bëhet fjalë. Prandaj, unë mund të vazhdoj të flas, por ju i keni pyetjet tuaja.
Ju folët për atë që po bëjnë politikanët në Kosovë dhe ju i njihni ata personalisht…
I njoh natyrisht, dhe njëri prej tyre ishte në Hagë dy herë, e neve na u desh të mblidhnim para për ta nxjerrë jashtë. Pse e bëmë këtë? Sepse e donim? Jo. Sepse nuk donim që Kosova të quhej vend terrorist, prandaj mua dhe gruas time na u desh që të shkonim në Hagë dhe ta nxirrnim nga atje zotin Haradinaj. Po të dënohej do të thoshin se Kosova është vend terrorist dhe ne e parandaluam këtë, dy herë.
Tani ai është kryeministër.
Po, është kryeministër, dhe çka po bën? Këtë e donte, që të bëhej kryeministër dhe unë po pres që të shoh se çfarë reformash do të bëjë. Ose ndoshta vetëm do të bëjë atë çfarë Hashim Thaçi dëshiron, ose dikush tjetër. Jo. Na duhen njerëz të guximshëm, me ide të reja që u shkojnë njerëzve në rrugë dhe u kërkojnë njerëzve mbështetjen dhe votën, duke u thënë se atë që them se do ta bëj për ju edhe do ta bëj. Dhe, nëse nuk e bëj për dy vjet, duhet të më largoni nga posti ose do të largohem vetë. Quhet kufizim i mandatit këtu. Nëse nuk e bëni si duhet punën tuaj, atëherë ikni. Njerëzit nuk mund të presin më gjatë. Kemi 10 vjet që nga shpallja e pavarësisë dhe shqiptarët e rinj po ikin nga Kosova. E dini se cila është fjala në shqip: Turp! E di këtë fjalë që përdoret edhe nga arbëreshët.