![Palët po përgatiten: Çka pritet të ndodhë më 18 mars në Ohër?](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/03/FDBE9C5E-EF40-490E-8B78-488BF0B320F5.jpeg)
Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në pritjen e organizuar nga Bashkimi Evropian, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. E në takimet me ndërmjetësues do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Por çka pritet të ndodhë më 18 mars?
Nga njoftimi i zyrës së BE-së, është bërë e ditur se Borrelli dhe Lajçaku fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin, e më pas do ta zhvillojnë takimin e nivelit të lartë së bashku.
Është bërë e ditur, gjithashtu, se ky takim do ta ketë në fokus finalizimin e Aneksit për Zbatimin e Marrëveshjes drejt rrugës për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kujtojmë se takimi në Ohër vjen pas takimit të 27 shkurtit, të zhvilluar në Bruksel, ku të dyja palët janë pajtuar për propozimin franko-gjerman.
Çka thonë nga Qeveria e Kosovës?
Në një komunikatë të lëshuar për medie nga Qeveria e Kosovës, është bërë e ditur se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Në njoftim më tej thuhet se kryeministri e ka theksuar gatishmërinë e tij që të qenë palë konstruktive dhe e përgjegjshme.
“Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian.”
Më tej në komunikatë shtohet se pritshmëritë e kryeministrit janë që BE-ja të punojë në drejtim të përmbylljes së procesit, duke e nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen në takimin e radhës që do të mbahet në Ohër.
“Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”- është thënë në njoftimin e Qeverisë, të lëshuar mbrëmjen e së enjtes.
Ndërkohë vetë kryeministri Kurti thotë se ka nisur që të përgatitet mirë për takimin e Ohrit.
“Unë jam shumë aktiv tërë kohën, sepse Qeveria e Kosovës i ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, por një pjesë të kohës, krejt çka mundem, përgatitem duke i lexuar dokumentet e deritanishme, por, gjithashtu, duke lexuar literaturë sa u përket bisedimeve dhe negociatave. Këtu më ndihmojnë shumë këshilltarët, edhe të mitë si kryeministër, por edhe këshilltarët e zv.kryeministrit Bislimi, i cili, përveç për integrime evropiane, është edhe zëvendëskryeministër”– deklaroi ai.
Tutje, Kurtit iu shtrua edhe një pyetje, e cila duket se kishte të bënte me takimin, megjithëse gazetarja nuk dëgjohet mirë, por ai u përgjigj si vijon: “Unë mendoj që fle mirë”.
“Zajednica”?
Kurti po këmbëngul se rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo, siç e quan ai, “Zajednica” flitet në nenin 10 të Planit Evropian, megjithatë, në nenin e shtatë të marrëveshjes, e cila tashmë është publikuar në faqen zyrtare të BE-së, përmendet një “nivel i duhur i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”– thuhet mes tjerash në nenin e shtatë.
Kurti, në këtë paraqitje të tij para medieve, foli për Asociacionin duke thënë se kjo çështje është “në nenin 10 në një prej 33 marrëveshjeve”.
Ndërkaq pika 10 e propozimit evropian thotë si vijon: “Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.