Sot në ora 15:00, në Bolonjë janë bërë publike nominimet për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi, për vitin 2023.
Në komunikatën që “European Union Prize for Literature” ka bërë, ku ka publikuar listën e të nominuarëve, shkrimtari nga Kosova Ag Apolloni është nominuar me romanin e tij më të ri “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.
Të nominuarit tjerë janë nga Armendia, Kroacia, Çekia, Franca, Finlanda, Polonia, Suedia, etj.
Në komunikatë, ndër të tjera, thuhet:
Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL) njeh shkrimtarët e rinj të letërsisë nga Bashkimi Evropian dhe më gjerë. Duke angazhuar 41 vendet pjesëmarrëse në programin e Evropës Krijuese të Bashkimit Evropian, Çmimi feston 41 talente të reja të shquara letrare përgjatë një cikli prej tre vitesh.
Duke vënë në pah krijimtarinë dhe pasurinë e madhe dhe të larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane në fushën e letërsisë artistike, EUPL synon të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare jo-kombëtare.
Pas një edicioni të suksesshëm të vitit 2022, i cili solli ndryshime në organizimin e përgjithshëm të Çmimit, ne jemi krenarë të zbulojmë sot listën e 13 të nominuarve për edicionin EUPL 2023, një për çdo vend pjesëmarrës. Autorët dhe romanet e tyre u nominuan nga subjekte kombëtare, të njohura për skenën letrare në vendet e tyre dhe të mësuara për të promovuar letërsinë e tyre jashtë vendit.
Fituesi i Çmimit EUPL 2023 dhe pesë përmendjet speciale do të zbulohen më 28 prill, gjatë ceremonisë së shpalljes në Panairin e Librit në Leipzig në Gjermani.
Të gjithë autorët e nominuar do të promovohen vazhdimisht në një skenë evropiane, duke synuar të arrijnë një audiencë më të gjerë dhe ndërkombëtare, si dhe të lidhen me lexuesit përtej kufijve të tyre kombëtarë dhe gjuhësorë.
EUPL organizohet nga një konsorcium shoqatash që përbëhet nga Federata e Botuesve Evropianë (FEP) dhe Federata Evropiane dhe Ndërkombëtare e Librashitësve (EIBF), me mbështetjen e Programit të Evropës Krijuese të Bashkimit Evropian.