970×90
970×90

FIFA i dërgon letër Llapit, e paralajmëron me dënim

FIFA i dërgon letër Llapit, e paralajmëron me dënim

Shtëpia e futbollit botëror FIFA e ka paralajmëruar Llapin se do t’ia ndalojë blerjen dhe regjistrimin e futbollistëve të rinj, nëse nuk i shlyen detyrimet ndaj ish-trajnerit të ekipit të vet U19, Alan Clark, në një afat të shkurtër kohor.

Clark, një trajner jugafrikan, e fitoi rastin kundër Llapit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Zvicër në fund të janarit, për borxhin e papaguar gjatë kohës sa ishte trajner i ekipit të të rinjve.

Por pavarësisht se KAS-i e kishte urdhëruar Llapin t’ia shlyente borxhin 43-vjeçarit, klubi nga Podujeva nuk e kishte marrë mundin ta bënte një gjë të tillë.

Si pasojë, Clark e çoi fituesin e Kupës së Kosovës në FIFA, e cila e ka paralajmëruar Llapin – në një email konfidencial që e ka parë Gazeta Nacionale – se do të dënohet nëse nuk ia paguan shumë shpejt borxhin trajnerit jugafrikan.

Nëse Llapi nuk i lanë detyrimet ndaj Clarkut brenda një afati shumë të shkurtër, atëherë FIFA do t’ia ndalojë regjistrimin e lojtarëve derisa borxhi të paguhet plotësisht.

Llapi i ka mijëra euro borxh Clarkut, por shuma e saktë dhe hollësitë e këtij rasti nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.

Borxhet e klubeve ndaj trajnerëve dhe futbollistëve në futbollin kosovar janë një çështje serioz dhe rasti i Clark është dëshmi se përfaqësimi nga njohësit e fushës apo avokatëve është shumë i rëndësishëm që futbollistët apo trajnerët t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe të kompensohen për atë që iu takon por iu mohohet nga klubet.

Clark e kishte konfirmuar për Gazetën Nacionale fitimin e rastit kundër Llapit në KAS një muaj më parë.

Jam i kënaqur që drejtësia ka triumfuar dhe shpresoj se përvojat me të cilat unë dhe familja ime u desh të përballeshim nuk do të përballet asnjë bashkëkolegë profesionistë në të ardhmen”, tha Clark për Nacionalen.

Llapi i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.

Ai ishte emëruar ndihmëstrajner i parë i Tahir Batatinës së pari në vitin 2020, para se të zhvendosej në postin e trajnerit të U19 pak kohë më vonë.

Pasi Clark i kishte kërkuar rrogat e papaguara duke u ankuar se familja kishte nevojë për t’u ushqyer, drejtuesit e Llapit i kishin kërkuar atij të kthehej në Afrikën e Jugut për të vdekur nëse ndihej se po vdiste nga uria.

Related posts