![Plani franko-gjerman, çfarë po parashihet për kishat serbe](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/03/AA93966A-A911-4879-AE13-EB21FDAAB0A9.jpeg)
Ani pse nuk nënshkruan zyrtarisht marrëveshje, të hënën për herë të parë u publikua i plotë propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndër pikat që ka nxitur më së shumti reagime është ajo nga neni shtatë, i cili kërkon që të dyja palët të angazhohen që të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Paragrafi i dytë i këtij neni thotë se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
“Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, theksohet më tej në nenin 7, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Edhe vetë presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka konsideruar si jo të lehta disa nga propozimet e planit që lidhen pikërisht me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, mbrëmë në një intervistë në Debat Plus ka thënë se ika ku flitet për vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë është referencë për Asociacionin, i cili duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos jetë shtresë e tretë e pushtetit.
“Pra, sërish mendoj se kjo çështja e nivelit të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë është referencë për Asociacionin, dhe, sërish, tashmë e kam shprehur në këtë intervistë, dhe, shumë herë, i kam shprehur pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara se kjo është pjesë e saj, se përparimi në çështjen e Asociacionit është pjesë e rëndësishme e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe çka është më me rëndësi, deri në një masë edhe për Kosovën që e përmbush atë vizionin e përbashkët që e kemi si një shtet shumetnik, sovran e demokratik”, ka thënë Hovenier.
Ishte ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ai që u mor specifikisht me këtë pikë, duke kërkuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani që të tregojë nëse është konform aktit më të lartë juridik të shtetit.
“Marrëveshja bazë e pranuar nga Kryeministri Kurti në pikën 7 parasheh një formë të vet-menaxhimit për serbet në Kosovë, sipas përvojave evropiane.
Le të tregojë Presidentja Osmani, që vet-shitet si juriste e fortë se a është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”, shkroi ndër tjerash ai.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk është e favorshme për Kosovën.
Ndër të tjera, Hoti ka thënë se Albin Kurti apo ka qenë në ndonjë zor të madh kur është dakorduar që pa njohje reciproke të pranojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të jep aranzhime të vetëqeverisjes të komunitetit serb dhe t’i jep status të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
“Shqetësuese është fakti që është degraduar procesi që Kosova tash është detyruar të pranojë një marrëveshje që nuk është aspekt e favorshme. Është detyruar të pranojë një marrëveshje, ku kemi marrë rrugën shumë të gjatë të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe njohjes reciproke. Nuk shihet në perspektiv se kur do të përmbyllet çështja me Serbinë. Çështjet që i kemi të hapura me Serbinë mbyllen vetëm atëherë kur ndodh njohja reciproke. Dialogu ka qenë i strukturuar, dakoduar mes të palëve dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar për njohje reciproke në qeverinë e kaluar. Tash degradon dhe jemi tek një marrëveshje që është teknike, bile edhe në ato elemente teknike ka probleme fundamentale. Janë kritikuar qeveritë e kaluara kur kanë arritur marrëveshje teknike në procesin e dialogut, të cilat kanë qenë aranzhime të përkohshme në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve që se kanë njohur njëra-tjetrën. Pra aranzhimeve të përkohshme, ndërkohë tash ky hynë në aranzhime që të mbesin aty për vite të tëra. Këto gjëra nuk janë sot për nesër, por do t’i përcjellin popullin e Kosovës për vitet e ardhshme”, ka thënë Hoti gjatë ditës së djeshme.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike në Ballkan, profesori Daniel Serwer ka thënë se neni 7 ku flitet për “një nivel të vetëmenaxhimit” e shndërron Asociacionin në atë formë që e dëshiron Serbia.
“Këto janë dispozita jo reciproke që synojnë të kënaqin popullatën serbe të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të krahasueshme brenda Serbisë. Paragrafi i parë zëvendëson dispozitat në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015 për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM). Në vend të supozimit të asaj forme institucionale, ai përshkruan funksionet që dëshiron Beogradi nga një Asociacion i tillë: “vetëmenaxhimi” për komunitetin serb, “ofrimi i shërbimeve” i financuar pjesërisht nga Serbia dhe një “kanal i drejtpërdrejtë komunikimi” me qeverinë e Kosovës”, ka shkruar Serwer në blogun e tij.
Megjithatë parë në tërësi, sipas Serwer ky propozim përmirëson marrëdhëniet shtet-shtet. Madje sipas tij pikat së bashku çojnë në njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si shtete sovrane dhe të pavarura, në të gjitha, përveç emrit.