![Të hënën pritet pranimi zyrtar i planit evropian, paralajmërohen pasoja nëse refuzohet](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/02/147D45C4-866E-450C-A62D-1FD20C57EE04.png)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të hënën në Bruksel, do të kenë para vetes planin evropian, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.
Në këtë takim të nivelit të lartë, pritet që edhe publikisht të pranohet plani që fillimisht ishte njohur si propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dyja vendeve.
Ndërmjetësit evropianë kanë thënë se presin konstruktivitet nga të dy palët. Këtë e ka kërkuar me ngulm edhe SHBA-ja, shkruan Reporteri.net.
Para takimit në Bruksel, ndërmjetësi evropian Miroslav Lajçak e bëri të qartë se propozimi i BE-së nuk është i negociueshëm.
“Plani, që besoj se do të pranohet të hënën, do të jetë i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme. Pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve, që duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përpara se Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak gjatë kësaj jave.
Plani i zbatimit në afate
Lajçak tha se presin që, në takimin e 27 shkurtit, të dy liderët fillimisht zyrtarisht e publikisht ta pranojnë këtë plan.
Ai shtoi se, pas pranimit të propozimit, nga palët pritet që të dalin me plane konkrete se si ta zbatojnë atë.
“Do të jetë më shumë se pranim gojor, por nuk dua të flas për ceremoni sepse ne duam të diskutojmë dhe planifikojmë. Do të diskutojmë për planin e zbatimit, sepse është shumë e rëndëishme që të zbatohet edhe ajo që do të dakordohet. Dhe kështu i inkurajomë palët që të vinë me propozime konstruktive dhe të arsyeshme në lidhje me planin e zbatimit”, tha emisari Lajçak.
Por çfarë do të ndodhte nëse plani evropian do të refuzohej nga Kosova dhe Serbia?
I pyetur për përfitimet që konkrete do të kenë qytetarët e Kosovës e Serbisë nga kjo marrëveshje, Lajçak përgjigjet se populli do t’i ndjejë menjëherë lehtësimet që do të vijnë nga pranimi i saj.
“Populli do ta ndjejë menjëherë, sepse Marrëveshja, para së gjithash, do të relaksojë shumë atmosferën jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në gjithë rajonin, në thelb do të prezantojë katër liri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në Ballkanin Perëndimor. Do të heqë barrierat dhe pengesat e shumta, pengesat administrative që ekzistojnë aktualisht dhe do të lehtësojë shumë udhëtimin, punën, biznesin dhe sigurisht do të relaksojë atmosferën në skenën ndërkombëtare në organizatat ndërkombëtare sepse do të ketë rregulla të qarta angazhimi, dhe kjo do të jetë gjithashtu një ndihmë e madhe për të dy të tjerët”, tha Lajçak.
Në anën tjetër, ai shton se refuzimi i atij propozimi do të thotë refuzim i normalizimit të marrëdhënieve dhe refuzim i rrugës evropiane dhe se ndaj kësaj do të reagonin SHBA-ja, komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja.
“Refuzimi i atij propozimi do të thotë refuzim i normalizimit të marrëdhënieve dhe refuzim i rrugës evropiane, ndaj kësaj do të reagonin SHBA-ja, komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja, dhe nuk dua të hyj në atë se cilat do të ishin pasojat negative. Mendoj se është e qartë për të gjithë se nuk duhet t’i themi ‘jo’ Bashkimit Evropian dhe Amerikës, veçanërisht nëse në këtë mënyrë mund të arrijmë stabilizimin, normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, stabilizimin e atmosferës në Ballkan dhe një rrugë të përshpejtuar evropiane”, bëri të ditur i dërguari special i BE-së.
Moment vendimtar për të dyja vendet, 27 shkurtin e ka konsideruar edhe Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Borrell foli të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dialogun Kosovë-Serbi , ku përcolli mesazhin se “ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është një moment vendimtar”.
“Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është në një moment vendimtar. BE-ja u ka paraqitur palëve një propozim që do ta vendosë procesin e normalizimit në një rrugë të qëndrueshme dhe largpamëse”, tha Borrell ndër të tjera.
SHBA: Presim qasje konstruktive të Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e së hënës
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se presin një qasje konstruktive të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të synojnë në fund njohjen e ndërsjellë. Përparimi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”.
Këtë ia ka përsëritur kryeministrit Kurti edhe Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet i cili ka bërë të ditur se mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të cilit i ka thënë se SHBA-ja mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian.
Chollet ka zhvilluar bisedën telefonike me Kurtin dy ditë para takimit të 27 shkurtit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq në një postim në Twitter shkruan se me kryeministrin ka diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti përpara takimit të liderëve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, shkruan Chollet.
Kurti ia konfirmon Cholletit qëndrimin pro propozimit evropian, thotë se është bazë e mirë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë
Këshilltari amerikan tha se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se të dy vendet duhet të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes procesit të Dialogut, duke përfshirë përparimin drejt themelimit të Asocacionit…”, shkruan ai.
Për bisedën me Chollet ka njoftuar mbrëmë edhe kryeministrit Kurti.
Kurti tha se kjo bisedë telefonike me Chollet shërbeu si një mundësi që t’ia rikonfirmojë ShBA-së se e pranon si bazë të mirë propozimin evropian.
Ai tha se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet me njohje reciproke në qendër të marrëveshjes, dhe respektim të të drejtave të minoriteteve në të dy shtetet.
Të hënën sipas agjendës së publikuar nga BE-ja, Lajçak e Borrell fillimisht pritet të kenë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin, para takimit të përbashkët mes palëve.