![Rohde i lumtur që Kuvendi i ratifikoi tri marrëveshje nga Procesi i Berlinit](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/02/95C10F39-5521-4890-9B6B-43AD9C8FA428.jpeg)
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pasi sot, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Përveç kësaj, Kuvendi miratoi ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.
E për këtë, Rohde u shpreh i lumtur teksa lavdëroi Kuvendin për shpejtësinë e ratifikimit të këtyre marrëveshjeve.
“Mirënjohje Kuvendit të Kosovës që ratifikoi kaq shpejt tre marrëveshjet e mobilitetit. Ato do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e Kosovës, do të nxisin masivisht integrimin rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe do t’i sjellin ata një hap më afër BE-së. Procesi i Berlinit po tregon rezultate”, shkroi diplomati gjerman në Twitter.