![Nis protesta e Sali Berishës](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/02/6648F367-688B-4F3B-A6CE-19504B1B85F7.jpeg)
Kreu i PD-së Sali Berisha u është bashkuar protestuesve para Kuvendit.
Sipas kreut demokrat ky nuk është revolucion i PD por një lëvizje e fuqishme shqiptare.
“Çfarë ndodh sot? Pse ky parlament, nga tempull i fjalës së lirë, është shndërruar në bunker të fjalës së ndaluar? E thjeshtë, çdo hajdut që të futet në Shqipëri për të vjedhur, nëse e kapin në flagrancë, tenton edhe të të vrasë po mundi. Këta në shtëpitë tanë nuk futen direkt si banda, por në xhepat tona, në taksat tona, në të gjitha pasuritë publike tuajat këta vjedhin natën, vjedhin ditën. Këta i urrejnë qytetarët. A i shihni të takohen me qytetarët? Asnjëherë. Ata vijnë njëherë në katër vjet me thasët e mbushura me eurot që u kanë vjedhur ju.
Ata vijnë me thasët me narkoeuro të siguruara nga bandat e tyre për të blerë votat. Sepse ju konsiderojnë ju, demokratë dhe socialistë, qenie inferiore, qenie të dyta, qenie që janë për të duartrokitur dhe asgjë më shumë. Ky revolucion nuk është revolucion i PD. Në të vërtetë është një lëvizje e fuqishme shqiptare. Është një revolucion shqiptar, i çdo shqiptari, që nuk mund të pajtohet që për të vjedhur taksat tuaja, rruga në Shqipëri të ndërtohet me një çmim 6-10 herë më të shtrenjtë.“, tha Berisha.