970×90
970×90
970×90
970×90

Dy vjet nga dita kur Kurti e mori hisen e madhe të pushtetit, çfarë bëri me të?

Dy vjet nga dita kur Kurti e mori hisen e madhe të pushtetit, çfarë bëri me të?

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i bashkuan forcat para dy vitesh në një formacion të përbashkët zgjedhor për ta marrë pushtetin, të cilin ndaras si rivalë e aspironin edhe në vitin 2019. Dhe pikërisht me 14 shkurt të vitit 2021, në zgjedhje të jashtëzakonshme, morën pothuajse aq sa deshën, mbi 50 përqind të votave. Sigurisht, mjaftueshëm, për t’i zënë dy zyrat kryesore të shtetit dhe për të mbajtur pushtetin pa brenga.

Por si erdhën te fitorja masive dhe çfarë bënë dy ish-kundërshtarët kur iu dha kjo mundësi e rrallë?

Kurti si kryeministër në mandatin e parë nuk e zgjati shumë – rrëzimin e tij e inicioi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pasi kryeministri e shkarkoi zyrtarin e lartë të LDK-së, Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Në mes të Kurtit kundërshtarit politik dhe Veliut kundërshtarit partiak, Osmani e zgjodhi rivalin politik – për t’u ndërtuar aleanca Kurti-Osmani që rezultoi si e suksesshme më 14 shkurt 2021.

Osmani edhe para kësaj ngjarjeje veç kishte filluar të distancohej nga rivalët e saj të ashpër partiakë, Isa Mustafës, Agim Veliut e Lutfi Hazirit. Ndërkaq Kurti situatën e kishte më të lehtë, pa rivalin e tij të kahershëm, Hashim Thaçin i cili vazhdon të jetë në paraburgim, në Hagë.

Rrjedhimisht, dyshja Kurti dhe Osmani ndërtuan narracionin se më 14 shkurt 2021 nuk ka zgjedhje – por ka “referendum”. Diskursi i tyre ishte ndryshimi i establishmentit dhe për këtë kërkonin bashkimin e të gjithëve, pa dallim ideologjie.

Kjo rezultoi në një listë 110 kandidatësh për deputetë të cilët ishin të botëkuptimeve të kundërta, njerëz të LPK-së e rugovistë, besimtarë jofetarë, konservatorë, komunistë e liberalë. Të gjithë në një listë – Kurti thoshte se gjithë e kanë një qëllim, pra “luftën ndaj korrupsionit”.

Anti-korrupsioni ishte kauza kryesore e Kurtit në rrafshin social, ndërkaq në atë politik parimi i reciprocitetit kishte qenë epiqendër e premtimeve të tij. E nëpër fushata zgjedhore premtonte se konkurset publike do të jenë me meritokraci.

”Fisi është për dasma, nuk ka dasma nëpër ministri“, thoshte Kurti para simpatizantëve të tij teksa e tregonte edhe një batutë ”I kish vdek baba i moshuar dikujt dhe bënin hajgare në Prishtinë, hajgare prej zori dhe thanë e pamja burrat në Qeveri e gratë në telefon“, thoshte Kurti teksa shkaktoi të qeshura edhe te Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla të cilat i kishte afër – dhe vazhdon t’i ketë.

Retorika e Kurtit rezultoi me fitoren e mbi 50 për qind të votave – për t’ia hapur rrugën që ta marrë i vetëm pushtetin, pa parti shqiptare në koalicion.

Posa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kumtoi rezultatin preliminar dhe gjithçka ishte e qartë për pushtetin e ardhshëm, Kurti para votuesve të tij deklaroi se ”dialogun e ka prioritetin e shtatë ose tetë“.

”Ne i kemi fituar zgjedhjet për punësim dhe drejtësi“, deklaroi ai. Por koha do të dëshmonte ndryshe prej Kurtit, dialogu u shndërrua në prioritet dhe prej tij dolën edhe kriza.

Veriu vend i krizave, Brukseli i fjalosjeve, Prishtina e Beogradi i “fitoreve”

Në mesin e shtatorit 2021, teksa partitë politike tradicionale e kishin nisur fushatën zgjedhore për votimet lokale të tetorit, Kurti veproi diçka tjetër – ministri i tij  Xhelal Sveçla dërgoi forcat policore në Veri të Kosovës për ta zbatuar reciprocitetin e targave.

Kjo për serbët lokalë dhe Beogradin zyrtar nuk ishte e pranueshme, rrugët që çonin në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak ishin bllokuar, ndërkohë presidenti serb Aleksandër Vuçiq dërgonte helikopterë afër kufirit me Kosovën.

Policët e Kosovës mbi qiell i shihnin forcat ajrore serbe, para tyre kufirin me policë serbë e pas tyre protestues serbë të cilët provokonin edhe me këngë nacionaliste. Incidente serioze nuk kishte, por ngërçi vazhdonte – adresa e zgjidhjes ishte tryeza e Brukselit.

Në atë tryezë u nënshkrua një marrëveshje për targa në mes Kosovës dhe Serbisë, por një pajtim i tillë ishte i përkohshëm pasi tensioni do të vazhdonte më pas.

Më 27 qershor, kryeministri Albin Kurti vendosi për zbatim të reciprocitetit për targa dhe dokumente e që do të hynin në fuqi më 1 gusht.

Kohë të mjaftueshme kishte që pala serbe të përgatitej, më 31 korrik presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq doli në një adresim ndaj popullit serb duke propaganduar se “Prishtina po i persekuton serbët”. Demagogjia e tij u shfaq në Veri disa orë pas, sirenat e luftës ishin ndezur.

Nata e 31 korrikut ishte për plotë me tension, gjendja po shkonte në eskalim.

“Javët dhe muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë”, thoshte Kurti atë natë.

Por ndërhyri ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili i kërkoi Kurtit dhe Osmanit që afati i reciprocitetit të shtyhet për një muaj.

Kurti pranoi, tensioni u ulë dhe gjendja po kthehej në normalitet – por të gjithë e dinin se ishte e përkohshme, ditët po ecnin në drejtim të 1 shtatorit.

Bashkimi Evropian po përpiqej që të arrihej një marrëveshje në mes palëve për çështjet kontestuese – më 27 gusht një marrëveshje për dokumente ishte arritur, kriza po shtyhej sepse kishte mbetur pa zgjidhje çështja e targave.

Kreu i ekzekutivit kosovar kishte dhënë dy muaj kohë për serbët lokalë që t’i konvertojnë targat prej “KM” në “RKS”. Megjithatë numri i atyre që iu përgjigjen thirrjes ishte solid e kriza dukej qartë që po vjen.

Aq shumë vërej kriza sa kjo e shqetësoi edhe sekretarin amerikan, Antony Blinken i cili e telefoni  Kurtin për t’i kërkuar atij që ta shtynte vendimin e targave për 10 muaj.

Njeriu më i pushtetshëm në Kosovë e kishte një ide tjetër – vendosi që vendimi për targa të kategorizohet. Prej 1 nëntorit deri me 21 nëntor të ketë vërejtje me shkrim, pastaj nga 21 nëntori deri me 21 janar të pasonin gjobat e më 21 janar të vazhdohej me targa të përkohshme deri më 21 prill 2022 ku parashiheshin konfiskimet e veturave me targa ilegale.

“Gjoba e parë do të pasojë me rezistencë”, deklaronte Lista Serbe teksa 21 nëntori shihej si mundësi tensionimi. Para kësaj, policët serbë zhveshën uniformat e Policisë së Kosovës duke u larguar nga institucionet.

Një pas një, të gjithë akterët e jetës politike e sociale nga komuniteti serb në Veri u larguan nga jeta institucionale e Kosovës. Kjo e thelloi krizën edhe më shumë.

Në ditën kritike të 21 nëntorit kishte një takim në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, u përcoll me tension e pa zgjidhje – tashmë skenari më i keq ishte afër.

Por në skenë u shfaq sërish ambasadori amerikan duke kërkuar nga Kurti që ta shtynte vendimin për 48 orë. Pranoi, vendimi u shty dhe zgjidhja u arrit në mes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe drejtorit të së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq.

Megjithëqë një problem tjetër ishte krijuar për të t’u shfaqur sërish kriza në Veri. Komunat veriore ishin pa kryetarë komunash dhe Kosova thirri për zgjedhje në dhjetor të cilat i bojkotoi Lista Serbe.

Sërish dhjetori në Veri u mbulua prej hedhjes së mjeteve të forta në drejtim të policëve e gazetarëve derisa Kosova vendosi t’i shtyjë zgjedhjet, por jo edhe serbët t’i largojnë barrikadat e tyre. Ato u hoqën në fund të muajit dhjetor.

Megjithatë, “prioriteti i shtatë” i Kurti nuk po e lë as edhe një muaj pa angazhim në këtë drejtim. Në janar u aktualizua tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe Beograd si dhe Bashkimi Evropian insistojnë në implementimin e Asociacionit dhe kërkesa i drejtohet personit që tash është kryeministër dhe kur ishte opozitar përdori edhe gaz lotsjellës për ta parandaluar Asociacionin.

“Zajednica është e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës”, tha Kurti më 9 shkurt në Kuvendin e Kosovës teksa ka vendosur edhe gjashtë kushte për Asociaiconin.

Opozita në Kosovë pretendon që Kurti tashmë e ka pranuar Asociacionin, por kreu i ekzekutivit nuk e pranon këtë.

Krejt çka pranon ai është fakti se ka presion të shtuar ndërkombëtar për të cilin gjatë kohës sa ishte në opozitë thoshte se “dëshiron ta di se çka është ai presion”.

Çmimet dalin prej “kontrollit”

Teksa kanë ndodhur të gjitha këto zhvillime në Kosovë, pra takime tensionuese në Bruksel e tensione në Veri, qytetarët në Kosovë janë përballur me krizë ekonomike për shkak të pandemisë COVID-19, luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike e ndikuar globalisht nga këto dy faktorë.

Gjatë tërë vitit 2022, Kurti dhe Bislimi, por edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, janë krenuar me rritjen ekonomike dyshifrore për vitin 2021.

Po në këtë vit, Banka Botërore e dha normën 19.1 për qind të inflacionit për Kosovën.

Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit dhjetor 2022, norma vjetore e inflacionit ishte 12.1 për qind.

Pagat nuk kanë lëvizur në sektorin publik pritet vetëm prej muajit të ardhshëm pasi më 1 shkurt u publikua koeficienti për pagat në sektorin publik që është 105 euro duke nënkuptuar që në Kosovë nuk do të ketë pagë mbi 1890 euro në sektorin publik.

Ndërkaq në sektorin privat vazhdon të mbetet gjendja e njëjtë, Qeveria është duke e ngritur pagën minimale në 250 euro prej 170 sa është tash për personat mbi moshën 35-vjeçare dhe 130 euro nën këtë moshë.

Çmimet për produktet ushqimore kanë marrë përpjetëzen, njëjtë kishte rritje të çmimeve edhe për faturat energjetike, ndërkaq në disa ditë të vitit 2022 edhe çmimi i naftës kërceu deri në mbi 1.80 centë për litër.

Por Kurti beson se “qytetarët shpenzojnë më shumë kur kanë shpresë”, duke pretenduar se nën qeverisjen e tij është kthyer shpresa. Megjithatë atë vetëm gjatë vitit 2021 mbi 43 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova dhe trendi po vazhdon.

Ekzekutivi ka disejnuar disa paketa të ndihmës ekonomike si pako e Ringjalljes Ekonomike si dhe pako kundër inflacionit. Për punëtorët e sektorit privat vetëm njëherë janë ndarë nga 100 euro në mesin e vitit 2022.

Pos këtyre janë politikat sociale për gratë lehona, fëmijët si dhe pensionistët, si dhe sektori publik shpesh merr edhe shtesat.

Shtesat si “mollë sherri” – përplasjet e pushtetit me sindikatat

Një nga zhvillimet që e kanë karakterizuar qeverisjen e Kurtit kanë qenë edhe përplasjet me sindikatën e arsimit si dhe me atë të shërbyesve civilë.

Më 25 gusht, Sindikata e Arsimit hyri në një grevë duke kërkuar shtesa prej 100 eurove deri në hyrje në fuqi të Ligjit për Paga. Kërkesa nuk u realizua, 1 shtatori nisi me grevë.

Një përplasje e ashpër kishte ndodhur në mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të sindikatës, Rrahman Jasharaj, i cili kishte kërkuar takim me Kurtin e që ndodhi tri javë pas nisjes së grevës.

Por Jasharaj i kishte thënë Kurtit “që ta ndihmojë si vëlla”, kjo e kishte neveritur Kurtin i cili disa herë e kishte përmendur si rast.

“Më tha ndihmom si vëlla, si vëlla të ndihmoj privatisht jo si kryeministër”, kishte thënë Kurti gjatë muajit shtator në Kuvendin e Kosovës.

Në tetor ishte arritur marrëveshja që punëtorët e arsimit të marrin 50 euro shtesa, poqë për janar ishte paralajmëruar grevë tjetër nëse Ligji i Pagave nuk realizohet. Megjithatë më grevë nuk kishte dhe sindikata u pajtua me koeficientin – krejt çka ka mbetur në këtë histori është përplasja e ashpër që ndodhi.

Shëndetësia e Kryeministrit – Kurti u bë  vet “ministër”

Më 1 tetor 2021, Arben Vitia që shërbente si ministër i Shëndetësisë dha dorëheqje me synim për t’u bërë kryetar i Prishtinës.

Por përballë e kishte Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryeqytetin qe LDK-ja e ka qeverisur për 14 vjet.

Këtë Kurti e Arben Vitia nuk e kishin marrë parasysh, pasi rezultatin zgjedhor në Prishtinë në zgjedhjet e 14 shkurtit e kishin me mbi 64 për qind të votave.

Por vetëm dy javë fushatë zgjedhore nuk ishin të mjaftueshme për qytetarët e Prishtinës të cilët nuk ia dhanë mundësinë Vitisë, por Ramës.

Kurti nuk e ktheu Vitinë në ministri, vendosi për një kuadër nga shëndetësia, Rifat Latifin, doktor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Punën e tij si ministër e shoqëruan vizitat e shumta jashtë vendit, takimet me Atifete Jahjagën e prindërit e Rita Orës si dhe vizitat te shqiptarët e Turqisë.

Sigurisht, këto i ka vënë re Kurti. Më 14 shkurt 2022 vendosi që fatin e shëndetësisë ta marrë në duart e tij, duke e themeluar Komisionin Ekzekutiv të Shëndetësisë në krye të së cilit do të qëndronte vetë Kurti.

Pastaj, më 6 tetor Rifat Latifi dha dorëheqje, duke thënë se arsyet e dorëheqjes nuk lidhen me Kurtin.

Gati tre muaj Ministria e Shëndetësisë kishte mbetur pa ministër, teksa Kurti vendosi që ta rikthente sërish Arben Vitinë në krye të saj – vazhdon të jetë.

Shëndetësia mbetet një nga sfidat e Qeverisë Kurti, dhe një nga sektorët më problematik në vend.

Si e shohin mbështetësit Kurtin e si opozita?

“I mençur”, “i dijshëm”, “pragmatik” e “guximtar” janë epitetet që simpatizuesit ia japin Kurtit. Në anën tjetër “mashtrues”, “demagog”, “anti-amerikan” janë disa atakime që opozita shpesh ia thotë Kurtit.

Kurti shpesh debaton me opozitarët në Kuvend, por opozita pretendon që ai “i personalizon gjërat”.

“Je duke prodhuar material për Tik Tok”, tha Lumir Abdixhiku më 13 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Videot e Kurtit bëjnë xhiron në Facebook, Instagram e Tik Tok. Ato komentohen në mënyra diametralisht të kundërta.

Në Kuvend shpesh herë metaforat e Kurtit dhënë ndër vite përdoren nga opozita për ta kritikuar atë.

Kështu Qeveria tashmë po shkon drejt konsumit të gjysmës së mandatit dhe Kurti shpesh tekstualisht e ka thënë se “zgjedhjet janë në vitin 2025”.

Asociacioni dhe emigracioni i qytetarëve të Kosovës pritet ta shoqërojnë Kurtin edhe në pjesën tjetër të mandatit. /Express

Related posts