![Pse Vetëvendosje po e sulmon LDK-në](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/02/3B9545AC-D6B8-499F-9C5B-ACAA5E81F9DF.png)
Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka bërë cak Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në fakt, dy partitë janë fotur në një garë videosh, nëpërmjet të cilave kritikojnë njëra-tjetrën. Por LVV, që është partia më e madhe në Kosovë dhe aktualisht udhëheq me Qeverinë, dje e lëshoi një tjetër video, ku kritikonte ekskluzivisht vetëm LDK-në, partia që e drejton Lumir Abdixhiku.
Në videon 3-minutëshe të titulluar “Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”, VV-ja konkludonte se LDK-ja nuk ka asnjë ide për zhvillimin ekonomik. Madje, VV-ja në videon e saj, i goditi akademikët e LDK-së, duke theksuar se ata paraqitën ide të cilat nuk u shërbejnë qytetarëve të Kosovës.
Por pse?
E vetmja arsye e qëndrueshme është fakti që LDK-ja ka shënuar rritje në sondazhet e vitit të kaluar. Në të gjitha sondazhet, disa prej të cilave i botoi Nacionale, LDK-ja është partia e dytë në vend, duke kaluar PDK-në dhe i është afruar VV-së.
Në sondazhin për muajin shtator të vitit 2022, LDK-ja e Abdixhikut ka shkuar në 22.3%, që është një rritje e madhe, krahasur me vetëm 12.7për qind sa kishte në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit të 2021, ndërsa VV-ja vazhdonte me trajektoren e zvogëlimit në përkrahjen popullore.
Në këtë linjë të argumentimit është Zana Avdiu, analiste dhe aktiviste, duke shtuar se VV-ja e sheh si kundërshtaren më të fortë LDK-në dhe Abdixhikut.
“Si duket VV kundërshtarin e saj më të fortë e sheh LDK-në dhe Lumir Abdixhikun. Dhe të gjithë sulmin e saj si parti e drejton ndaj LDK-së, dhe me pak ndaj te tjereve. Por, VV si duket nuk po e përcepton drejt realitetin, sepse edhe PDK edhe LDK janë të mbushura me figura të reja dhe të pëlqyeshme prej publikut, por, se edhe ka filluar të ndryshoj qasja e qytetarëve edhe për figurat e vjetra.” – theksoi analistja Avdiu.
Tutje, zonja Avdiu ka edhe një këshillë për partinë e kryeministrit Albin Kurti.
“Vv bën mirë të përqëndrohet që të punojë, sepse videot propaganduese nuk ia fitojnë zgjedhjet më. Ata tashmë janë në pushtet” – deklaroi zonja Avdiu.
Pak a shumë njëjtë mendon edhe z. Bekim Kabashi, analist dhe drejtor i “Reporteri.net”, i cili i tha Nacionales se goditja ndaj LDK-së mund të lidhet edhe me procesin negociator në Bruksel.
“Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet përmes politikave populisteve. Partitë e tilla strategjinë politike e orientojnë përmes sondazheve. LDK është e vetmja parti opozitare që ka arritur ta marrë vetën pas debaklit zgjedhor të 14 shkurtit 2021, e këtë e kanë dëshmuar edhe sondazhet, më vazhdimësi, më shume se një heë. Jemi në një proces negociator i cili nuk përjashtohet se mund të dërgojë edhe në zgjedhje të parakohshme, dhe VV është e vetëdijshme për këtë. Andaj natyrshëm kanë zgjedhur që të sulmojnë partinë kryesore që ua sfidon pushtetin.”– theksoi Kabashi.
Ndryshe në videon e titulluar “Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”, VV-ja e bëri edhe një krahasim aspak dinjitoz për partinë më të madhe në pushtet. Ajo e krahasoi LDK-në e Abdixhikut, pak orë pasi ia votoi Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, me Serbinë, kur flet për tërheqjen e 30% të Trustit.
“E dyta, ajo e tërheqjes së trustit, nuk ndihmon ata që kanë nevojë, dhe e shkatërron sistemin pensional që kemi. Njëherë na e shkatërroi Serbia, së dyti deshën ta shkatërrojnë doktorët e LDK-së”– theksohet në videon e postuar nga LVV-ja.
Edhe Kurti ishte përfshirë në kritikën ndaj Abdixhikut, duke e krahasuar me Besnik Bislimin, dyshin e Qeverisë.
“Unë deputetin Lumir Abdixhiku e kam pasur ministër edhe deputetin Avdullah Hoti e kam pasur zëvendës, por veç me ju tregu diçka në këtë aspekt. Zëvendësi Bisnik Bislimi dhe ministri Hekuran Murati, cili do prej tyre, këta dy bashkë, Abixhiku e Hoti, nuk janë as sa çereku i njërit prej tyre. Unë i kam pasur edhe zëvendës edhe ministër, i njoh mirë, i njoh shumë mirë. E kam pasur edhe ministrin e brendshëm nga radhët e LDK-së, por nuk kanë pasur këso idesh.” – deklaronte Kurti para deputetëve në Kuvend ditë më parë.
Kujtojmë që LDK herë pas herë i është përgjigjur me video LVV-së, duke e kritikuar qeverisjen e Kurtit.