
Koreja Veriore ka shfaqur shumë raketa në një paradë të mbajtur natën, raportuan mediet shtetërore të enjten, duke treguar më shumë raketa balistike ndërkontinentale se kurrë më parë.
Ky shtet e ka vazhduar programin e vet të raketave balistike, duke testuar dhjetëra raketa të avancuara vitin e kaluar pavarësisht nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe sanksioneve, raporton agjencia “Reuters”.
“Kësaj radhe, Kim Jong Uni i la forcat në zgjerim taktike e të raketave me rreze të gjatë që të flisnin vetë”- tha Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin e Ewha-s në Seul. “Mesazhi që Pjongiangu dëshiron ta dërgojë ndërkombëtarisht, duke i shfaqur aftësitë për parandalim e detyrim, me gjasë, do të vijë në formën e testeve të raketave me karburant të ngurtë dhe plasjen e një pajisjeje bërthamore në miniaturë”- shtoi ai.
Në pamjet e publikuara nga agjencia KCNA nga parada e mbajtur të mërkurën në mbrëmje, shihen 11 raketa balistike ndërkontinentale “Hëasong-17”, që janë më të mëdhatë e këtij lloji në Korenë Veriore. Dyshohet se ato mund të arrijnë pothuajse në çdo pjesë të botës me një kokë bërthamore.
Njëmbëdhjetë raketa do të mund të ishin të mjaftueshme për ta dërrmuar mbrojtjen e tanishme të ShBA-së kundër raketave, tha Ankit Panda nga organizata “Carnegie Endowment for International Peace” me seli në Shtetet e Bashkuara.
Koreja Veriore mbajti një paradë në kryeqytet për ta shënuar 75-vjetorin e themelimit të ushtrisë, raportoi agjencia KCNA. Udhëheqësi i shtetit, Kim Jong Un, mori pjesë në të bashkë me vajzën e vet, e cila shihet si pasardhëse e mundshme e babait në krye të vendit.
Koreja Jugore e kritikoi mbajtjen e kësaj parade nga vendi fqinj, kur Koreja Veriore është duke u ballafaquar me përkeqësimin e një krize ushqimore e me vështirësi ekonomike.
“Ne i bëjmë thirrje Koresë Veriore që menjëherë ta ndalë zhvillimin e paligjshëm bërthamor dhe të raketave, si dhe kërcënimet e pamatura bërthamore e shpejt të kthehet në bisedimet për denuklearizim”- tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë Jugore, Lim Soo-suk.
Koreja Veriore ka thënë se programi i saj i raketave dhe programi për zhvillimin e armëve bërthamore janë pjesë e së drejtës sovrane për vetëmbrojtje dhe se janë të nevojshëm për shkak të politikave armiqësore nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.