Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvend ka treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.
Po ashtu, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion monoetnik.
Pikat që përmendi kryeministri janë si në vijim:
-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës
-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
-Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.
-Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).