Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po vazhdon qëndrimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar sot me konkresistin amerikan, Ritchie Torres.
“Nder i veçantë të takohem me mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin z. Ritchie Torres, të cilit i shpreha mirënjohjen për përkrahjen e tij dhe mbështetjen e pazëvendësueshme që ShBA-të i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Haradinaj shtoi se në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
“Në takim shtrova nevojën për thellimin e bashkëpunimit strategjik në mes të dy vendeve në të gjitha sferat, atë të sigurisë, politikës së jashtme dhe shkëmbimit ekonomik. Po ashtu, ftova Kongresmenin Torres në Kosovë për vizitë”, ka shtuar Haradinaj.
Ai tha se Kosova është më e fortë kur ka miq në Amerikë të cilët asnjëherë nuk e lënë të vetme.
“Aleanca e jonë me Amerikën është jetike dhe duhet të trajtohet si e tillë. Kosova është më e fortë kur ka miq në Amerikë të cilët asnjëherë nuk e lënë të vetme, në situatat me të cilat ballafaqohet”, ka përfunduar ish-kryeministri.