970×90
970×90

Pse Gjermania nuk po i dërgon tanket Leopard Ukrainës

Pse Gjermania nuk po i dërgon tanket Leopard Ukrainës

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është përfshirë në një mosmarrëveshje me Gjermaninë për dërgimin e tankeve në Ukrainë para një takimi kyç të udhëheqësve të mbrojtje të vendeve perëndimore në Gjermani të premten.

Ditëve të fundit, zyrtarët gjermanë kanë dhënë shenjë se nuk do t’i dërgojnë Ukrainës tanke “Leopard” ose nuk do të lejojnë asnjë shtet tjetër që ka tanke gjermane që t’i dërgojë ato në vendin e përfshirë nga lufta, nëse Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen për të dërguar tanke “M1 Abrams” në Kiev – diçka për të cilën Pentagoni me muaj ka thënë se nuk e synon, duke e marrë parasysh koston logjistike për mirëmbajtjen e tyre.

“Na kanë vendosur në pozitë të vështirë”- i tha të enjten televizionit CNN një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke shtuar se gjermanët po kërkojnë tanke për tanke dhe nuk po lëvizin nga vendi për ta shqyrtuar ndonjërën nga ofertat që ShBA-ja i ka bërë për ta nxitur Berlinin që t’i dërgojë tanket “Leopard”.

Mosmarrëveshja për tanket po ndodh në kohën e një debati shumë më madh mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë për të dërguar ose jo armatim gjithnjë më të sofistikuar në Ukrainë, përfshirë raketat me rreze më të gjatë veprimi, që do t’i mundësonin Ukrainës që të godasë caqe që ndodhen më shumë se 300 kilometra larg.

Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Finlanda, dhe shtetet baltike kanë bërë thirrje që vendet e NATO-s t’i dhurojnë Ukrainës pajisje më të rënda, sepse mendojnë se lufta është një moment kyç. Duket se Ukraina dhe Rusia janë duke u përgatitur për ofensiva të reja dhe ka shenja se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një mobilizim shtesë të trupave.

Javën e kaluar, britanikët e shtuan presionin ndaj aleatëve perëndimorë, kur njoftuan se do të dërgojnë në Ukrainë 14 tanke “Challenger”. Megjithatë, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara ende e kundërshtonin idenë – deri të mërkurën – për dërgimin e tankeve të tyre.

Më pas, Berlini e tërhoqi administratën amerikane më thellë në mosmarrëveshje, duke thënë se dhurimi i tankeve gjermane do të varet nga dhurimi i tankeve amerikane.

“Nëse Amerika do të vendosë që t’i sjellë tanket e betejave në Ukrainë, kjo do ta bëjë këtë më të lehtë për Gjermaninë”- tha të martën nënkancelari gjerman, Robert Habeck.

ShBA-ja e pakënaqur me kushtin e Gjermanisë

Në anën tjetër, disa zyrtarë të lartë amerikanë në mënyrë private ua kanë shprehur zemërimin zyrtarëve gjermanë për ndërtimin e e asaj që ShBA-ja beson se është barasvlerë e rrejshme mes tankeve amerikane e gjermane.

“Është qesharake. Është sikur ata mendojnë që janë të njëjtë dhe nuk janë. Nuk duket që e kuptojnë dallimin”- tha një zyrtar i lartë amerikan për kërkesën gjermane që tanket amerikane t’i dërgohen Ukrainës bashkë me tanket gjermane.

Zyrtarë amerikanë të afërt me këtë situatë i thanë televizionit CNN të enjten se çështja e tankeve nuk është vendosur ende para takimit të së premtes dhe do të ishte befasi, nëse Gjermania e ndryshon mendjen, pavarësisht fushatës private për presion nga sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin.

Related posts