
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona që dyshohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Të dyshuarit janë arrestuar pas publikimit të një video në mediat ku shihen duke u rrahur një person tjetër.
Katër të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Raporti i plotë i PK-së:
Arrestohen katёr (4) persona tё dyshuar për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’
Pejë, 18 janar 2023
Drejtoria Rajonale e Policisё Pejё, Stacioni Policor nё Klinё, me datё 17.01.2023, rreth orёs 15:00, ka vërejtur se ёshtё publikuar njё video incizim nё njё portal, ku vëreheshin disa persona duke u rrahur nё zonën e pёrgjegjёsisё Klinё.
Policia menjёherё ka marrё tё gjitha veprimet e duhura, duke identifikuar viktimën e rastit, i njëjti ёshtё dёrguar nё QKMF-Klinё pёr tretman mjekёsor e mё pas ёshtё intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor nё Klinё.
Pas intervistimit tё viktimёs ёshtё bёrё identifikimi i personave tё dyshuar:
• M.L. i lindur nё vitin 2000
• J.G. i lindur nё vitin 2001
• M.G. i lindur nё vitin 2003
• H.L. i lindur nё vitin 2004.
Tё dyshuarit janё arrestuar, tё njëjtit janё intervistuar nё prezencёn e avokatit mbrojtёs.
Me urdhёr tё prokurorit tё shtetit tё dyshuarit janё dёrguar nё ndalim Policor prej 48-orёsh.