970×90
970×90
970×90
970×90

SHBA kthen në binarë përpjekjet për marrëveshje mbi bazën e planit franko-gjerman

SHBA kthen në binarë përpjekjet për marrëveshje mbi bazën e planit franko-gjerman

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rifokusuar diskursin tek marrëveshja e madhe Kosovë-Serbi pas zhvillimeve në Veri, që për shumëkënd ishte një situatë që mund të ndizte një konflikt. Por, Uashingtoni, së paku tash për tash, ka arritur t’i kthejë në binarë përpjekjet për ujdi bazuar në planin franko-gjerman. Këshilltari Special Derek Chollet refuzoi të japë afate, por shpjegoi se marrëveshja është e mundur. Gazeta Financial Times, duke i përfolur fjalët e tij, shkroi se aktualisht synohet që Kosova e Serbia t’ia njohin jurisdiksionet njëra-tjetrës, pa njohje të plotë dhe se njohja reciproke do të kërkohet me qasjen “hap pas hapi”.

Derek Chollet, këshilltar special në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka arritur ta kthejë fokusin te marrëveshja e madhe Kosovë-Serbi, me vizitën që i bëri dy kryeqyteteve pas tensioneve që u shfaqën në pjesën veriore të vendit.

I shoqëruar nga Ndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendësndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Chollet foli në të dyja vendet rreth takimeve, por mesazhet kryesore megjithatë i zbuloi në një intervistë për “Financial Times”, që u realizua në Prishtinë.

Para se të flasë për planin franko-gjerman dhe atë që synohet të arrihet, Chollet tha se më nuk duan kriza për çdo javë, por shpjegoi se njëra nga arsyet pse duan marrëveshje është edhe heqja e ndikimit që Rusia ka ndaj Serbisë.

Sipas Chollet, plani parasheh që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një marrëveshje të bazuar në planin e prezantuar nga Franca dhe Gjermania që do të etablonte respektimin e jurisdiksioneve nga të dyja vendet dhe aspiratat për anëtarësin në Bashkimi Europian.

“Mendoj se mund ta arrijmë një mes, përndryshe nuk do të investonim kështu siç kemi bërë”, ka thënë ai.

Diplomati amerikan, në rang nënsekretari, konsideron se marrëveshja është e arritshme, por, sipas FT, ka refuzuar të vendosë ndonjë kornizë kohore për arritjen e marrëveshjes.

Në fjalën e tij, para gazetarëve kosovarë në ambasadën e SHBA’së në Prishtinë, Chollet ka thënë se marrëveshja ka për qëllim njohjen e ndërsjellë, por në intervistën për FT ka shpjeguar se rruga përpara bazohet në qasjen hap pas hapi.

FT, duke i transmetuar deklaratat e këtij diplomati, shkruan se hapi i parë për dy vendet do të ishte normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pa njohur plotësisht njëra-tjetrën.

“Së paku, si një hap fillestar, kjo është mënyra që Kosovën ta vendosim në rrugën euroatlantike në të cilën duam ta shohim”, ka thënë ai.

Për ta arritur këtë, të dyja palët duhet të tregojnë vullnet për kompromis, ka thënë Chollet.

“Derisa serbët duhet të pranojnë një nivel sovraniteti, Kosova duhet t’u japë qytetarëve serbë të saj autonomi më të madhe, veçmas një asociacion për komunat me shumicë serbe në veri të vendit”, shkruan FT.

Rreth Asociacionit, shkruan gazeta, Chollet ia ka bërë me dije Kurtit se ka urgjencë të madhe.

“Ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj”, ka thënë Chollet.

Diplomati amerikan në bisedën që pati me gazetarët kosovarë theksoi se ngjarjet në veri të javëve të fundit e kanë bërë urgjent krijimin e Asociacionit.

Presidentja Osmani, e cila e priti në zyrën e saj të mërkurën delegacionin amerikan, pas takimit doli me një deklaratë duke thënë se Kosova është e gatshme të japë propozime që i ndihmojnë arritjes së marrëveshjes.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.

Megjithatë, nuk dihet nëse Osmani e kishte fjalën për propozimet që shtetet e QUINT’it duan që Kosova t’i bëjë për Asociacionin.

Në njoftimin për media, që u bë nga Zyra e Kryeministrit pas takimit me Chollet, nuk u dhanë detaje.

Aty vetëm u theksua “nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”.

Kryeministri ishte më i hapur kur shkoi në Austri. Atje tha se tema e Asociacionit që amerikanët po e kërkojnë me këmbëngulje, mund të adresohet brenda marrëveshjes finale.

Kurti vazhdon të thotë se Asociacioni njëetnik nuk është në frymën e Kushtetutës, ndërsa bashkëpunëtorët e tij thonë se Kosova s’do të lejojë formimin e Zajednicës.

Ndërkohë, kur Kurti dje në Vjenë iu drejtua audiencës në Akademinë Diplomatike tha se Serbia synon të zvarrisë arritjen e marrëveshjes me shpresën se në vitin 2024 në Shtëpinë e Bardhë do të ketë një president tjetër. Kurti insiston se marsi është koha kur duhet të arrihet marrëveshja, por Chollet nuk përmendi afate as për marrëveshjen e as për Asociacionin që Serbia thekson se do të nisë të formohet nga janari.

Ndryshe, pala kosovare dhe ajo serbe vazhdojnë të japin deklarata të ndryshme rreth përmbajtjes së palnit franko-gjerman.

Zëvendëskryeministri Bislimi, në një intervistë të gjatë për mediat në Serbi, thotë se plani franko-gjerman e “mbështet qëndrimin e Serbisë që aktualisht s’ka kushte për njohje reciproke”.

Por, Vuçiq insiston se aty është edhe njohja edhe ulësja në Kombet e Bashkuara për Kosovën, por sipas tij këto janë vija të kuqe dhe se “Serbia s’pranon që të flasë për këto gjëra”.

“Ne nuk duam të flasim për këtë dhe është një pjesë integrale e planit, për gjithçka tjetër – mirë, nuk po them se do ta pranojmë, por mund të flasim – të shohim se çfarë mund të marrim, çfarë të tjerët mund të marrin”, theksoi Vuçiq.

Vuçiq e ka përmendur edhe një takim që sipas tij do të ndodhë me datën 20 janar me emisarin sllovak Miroslav Lajçak, e të cilin e ka quajtur takim të madh, ndërkohë tash nuk dihet nëse në rajon do të ndodhë edhe një udhëtim i këshilltarëve të Macron e Scholz e aq më pak për ndonjë takim Kurti-Vuçiq në Bruksel

Related posts