
Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, është padyshim ambasadori më i njohur që ka Kosova. Por, fatkeqësisht, ai nuk është se njihet për ndonjë punë të madhe në diplomacinë kosovare. Berishaj njihet më shumë për dyshimet në përfshirjen në një skandal të madh financiar në Slloveni, e ku përmendej edhe Albin Kurti.
Dyshimet janë se Berishaj mori qindra mijëra euro nga GEN-I serb, e me të cilat para dyshohet të jetë financuar edhe fushata e kryeministrit Kurti.
Disa miq e përkrahës të këtij të fundit, tashmë janë renditur publikisht me opozitën. Edhe më konkretisht, Rron Gjinovci, Xhevdet Pozhari e Shkëlzen Gashi, tre përkrahës të Kurti e VV-së, janë rreshtuar në krah të opozitës në lidhje me çështjen e ambasadorit Berishaj.
“Musketerët” anti Kurti
Këta tre musketerë, më falni analistë, kanë kërkuar dorëheqjen e ambasadorit Berishaj, i cili tashmë po hetohet edhe për mosdeklarim të pasurisë në Kosovë.
I pari që shkroi për këtë çështje ishte Shkëlzen Gashi, analist, që e kishte përjetuar në lekurën e tij dorëheqjen. Ndonëse ishte vetë viktimë e dorëheqjes, z. Gashi ishte i qartë se Berishaj duhet të largohet. Madje, sipas tij, “dorëheqja nuk mjafton”, duke e cilësuar Berishajn si “hajduk”.
“Ambasadori’ i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kur dëshmoi para disa javëve në Komisionin Hetimor për Menaxhimin e Energjisë, kërkoi që mjetet e dedikuara për ardhjen e tij në Kosovë për të dëshmuar në këtë komision, t’i dhurohen një familjeje në nevojë.
Demek, unë jam humanist.
Jo, ti, Martin Berishaj, je hajduk.
Presidentja e Kosovës, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, duke e mbrojtë këtë hajduk, po i vërtetojnë pretendimet se mund të jenë financuar prej tij.
DORËHEQJA NUK MJAFTON!” – shkroi Gashi më 11 janar.
Postimi i Gashit duket ta ketë trimëruar (ndoshta edhe ka qenë një dritë jeshile për të reaguar) edhe z. Gjinovcin. Menjëherë pas Gashit, Gjinovci shkroi në profilin e tij, duke thënë se “këtu era paqtë s’po vjen”.
E pak më vonë, saktësisht 1 ditë pas reagimit të Gashit e Gjinovcit, për këtë çështje shkroi edhe Xhevdet Pozhari, një tjetër analist i afërt me pushtetin e Kurtit.
“Është e pakuptueshme pse një Qeveri harxhon kaq shumë energji për ta mbrojtur një ambasador që nuk ka asnjë peshë politike. Veçanërisht në rrethana kur njerëzit preokupohen me të drejtë se sa do të jetë vlera e koeficientit të pagës, nëse do ta kalojnë këtë dimër më lehtë sesa ai i kaluari. Kur do të normalizohet shporta e produkteve bazike… etj, etj.
Por nga ta dish, ndoshta pesha e xhepit e bën të vetën! Dhe për këtë arsye Martin Berishaj mbetet më i rëndësishëm!” – shkroi z. Pozhari.
Kujtojmë që dorëheqjen ose shkarkimin e Martin Berishajt e kanë kërkuar edhe partitë opozitarë, përfshirë PDK-në dhe LDK-në.