
Mediat amerikane kanë raportuar se vjeshtën e kaluar, janë zbuluar disa dokumente sekrete në zyrën private Joe Biden, nga koha kur ai ishte zëvendëspresident.
Thirrur në një burim, CNN ka shkruar se këto dokumente përmbajnë memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuesenë lidhje me Ukrainën, Iranin e Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas burimit të CNN, vitin e kaluar ishin gjetur 10 dokumente me shenja klasifikimi, që datonin midis 2013 dhe 2016.
Më tej burimi ka thënë se përveç këtyre dokumenteve, gjithashtu janë zbuluar dokumente personale të familjes Biden, përfshirë materiale rreth organizimit të funeralit të Beau Biden.
Është bërë e ditur se, Departamenti i Drejtësisë është duke hetuar se si dhe pse dokumentet e klasifikuara nga koha e Bidenit si zëvendëspresident kanë kaluar nga Shtëpia e Bardhë në një institut studimi, Qendra Penn Biden për Diplomaci dhe Angazhim Global, ku Biden kishte një zyrë.
CNN ka raportuar se për hetim të kësaj çështjeje, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka caktuar avokatin amerikan në Çikago, i cili mban detyrën që nga administrata Trump.
Bëhet e ditur se dokumentet janë zbuluar më 2 nëntor, gjashtë ditë para zgjedhjeve të mesmandatit, por çështja u bë publike të hënën për shkak të raportimeve të lajmeve.
Kujtojmë se edhe ish-presidenti Donald Trump është nën hetime pas dyshimeve se nuk ka dorëzuar dokumente sekrete të presidencës së tij, gjë që përbën shkelje ligjore.