
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në një konferencë për media të mbajtur të martën, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të deklarohet nëse u financua fushata e tij nga skandalit i 100 milionë eurove i ambasadorit Martin Berishaj.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri ka thënë se shqëtsimi kryesor është ndërlidhja e Kurtit me skandalin e Berishajt dhe se kryeministri duhet të sqarohet për raportimet e gazetave.
“Sipas gazetës, dyshohet se Martin Berishaj, është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin MB Consulting dhe ku aty madje theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr para të thata nga llogaritë bankare të kompanisë së tij mbi 600 mijë euro në vitin 2019-2020”.
“Ky skandal sa vjen e po thellohet më tepër. Hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania GEN e të cilat dyshohet se është financuar fushata edhe e kryeministrit Kurti, përmes filialit të GEN-it në Tiranë ku janë transferuar 14 milionë euro”.
“Prandaj, LDK-ja kërkon që këto dyshime shqetësuese që rëndojnë mbi imazhin e kryeministrit të Kosovës të adresohen menjëherë nga Qeveria Kurti se a janë të vërteta deklarimet e hulumtimet e gazetës sllovene”, ka thënë ai sipas Ekononia Online.
Ai ka pyetur Kurti se a janë përdorur paratë për fushtën e tij.
“A janë përdorur paratë e GEN-it për të investuar në fushatën e kryeministrit Kurti dhe a përdoren këto para për të paguar njerëz që t’i përbaltin kundërshtarët politikë të kryeministrit Kurti në komente online, në media dhe në organizata të tjera”, është shprehur Tahiri.
Ndryshe, gazeta sllovene shkruan se Kurti u financua me para të dyshimta të GEN-it.