970×90
970×90
970×90
970×90

Plani i Lumir Abdixhikut, a do të mundet ti fitoj zgjedhjet me aderimet e reja?

Plani i Lumir Abdixhikut, a do të mundet ti fitoj zgjedhjet me aderimet e reja?

Zgjedhjet e 14 shkurtit, që Lidhjen Demokratike të Kosovës e nxorrën me një rezultat jo fort të kënaqshëm, padyshim se shpërfaqën nevojën për intervenime, qoftë përmes politikave ose prurjeve të reja. Në përpjekje për të arritur ndryshim, po bëhen gati dy vite prej kur kryetari i tanishëm i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka riformësuar “gardën e re” në partinë e tij, me disa aderime të bujshme, i fundit ky i Shqipe Pantinës.

Më 14 mars, 328 delegatë të LDK-së u mblodhën për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj partie. Me ardhjen e tij në pozitën e kryetarit të LDK’së, Abdixhiku pati një detyrë të rëndësishme përpara: t’ia kthente partisë atë që i mungoi në zgjedhjet e para dy vitesh, përkrahjen e votuesve.

Me zgjedhjet e radhës që po afrohen, Abdixhiku padyshim se ka bërë ndryshime esenciale, me tashmë tetë aderime partiake të anëtarëve, disa prej të cilëve dikur ishin pjesë e strukturave të tjera politike.

Por se sa do të ndikojnë këto aderime në syrin e votuesve, e në të mirë të partisë, do të mund të zbulohet vetëm kur qëllimi për të cilën janë bërë, do vihet në provë, përmes zgjedhjeve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Shqipe Pantina

Aderimi më i freskët në LDK, ndodhi pikërisht të martën. Kryetari Abdixhiku njoftoi se Shqipe Pantina, dikur deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, është tashmë pjesë e partisë së tij.

Pantina ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Shqipe Pantina dhe Lumir Abdixhiku

Mirëpo, para se të angazhohej në politikë, ajo ka shtrirë veprimtarinë e saj si pjesë e shoqërisë civile, si dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX.

Ajo, studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Shkenca Politike, ndërsa ka magjistruar në Austri.

Sibel Halimi

Sibel Halimi është studiuese e Sociologjisë, njëherit edhe veprimtare për të drejtat e njeriut.

Halimi aderoi në LDK në mars të vitit 2021, një muaj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Profesionalizmin e saj në fushën e aktivizmit, Sibeli e përktheu në pozitën e saj në LDK si zëdhënëse e partisë, duke kryer rolin e komunikimit me publikun. Njëherit, ajo u bë anëtare e kryesisë.

Sibel Halimi dhe Lumir Abdixhiku

Shqipe Mjekiqi

Ajo që e pasoi Sibel Halimin, ishte Shqipe Mjekiqi, një tjetër grua që u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në mars të 2021-tës, si nënkryetare e partisë.

Në një deklarim të saj pas anëtarësimit, Mjekiqi tha se po anëtarësohet në një periudhë jo fort të mirë për LDK-në, por se synim ka të kontribuojë “në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin”.

Studimet e saj, Mjekiqi i kreu në Britaninë e Madhe.

Shqipe Mjekiqi dhe Lumir Abdixhiku

Alban Zogaj

Për të vazhduar me një tjetër aderim, Alban Zogaj u bë pjesë e LDK’së si anëtar i kryesisë po ashtu në mars.

Studimet e kryera në Britaninë e Madhe, e doktorrimin në Itali, Zogaj i shfrytëzoi siç është më së miri, për çka edhe sot mban pozitën e nënkryetarit të Prishtinës.

Alban Zogaj dhe Lumir Abdixhiku

Kjo pasi Zogaj ishte kryesues i shtabit elektoral të Përparim Ramës, që kryesoi në Prishtinë si kryetar i kryeqytetit.

Zogaj njihet për aftësitë e tij komunikative me qytetarët. Si i tillë, ai i shfrytëzon maksimalisht rrjetet sociale për të qenë më afër kërkesave dhe pyetjeve të tyre.

Përparim Rama

Kur Përparim Rama ‘zbarkoi’ në Lidhjen Demokratike e Kosovës për të kandiduar si i zgjedhuri i LDK’së për kryetar të Prishtinës, shumë e vunë në dyshim kontributin që ai mund të jepte si arkitekt.

Fitues i çmimeve të shumta ndërkombëtare në profesionin e arkitekturës, Rama arriti që me premtimet e tij për t’ia dhënë një pamje të re Prishtinës, ta fitonte garën ndaj përfaqësuesit të partisë që ishte e pamposhtur për dy mandate në Prishtinë, Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Perparim Rama dhe Lumir Abdixhiku

Rama padyshim se ka sjellur një frymë të re në kryeqytet, pa çka se ‘eksperimentet’ e tij jo rrallëherë ngjallin reagime. Sidoqoftë, Rama vazhdon të mbetet një prej aderimeve më të pëlqyera në LDK, kontributi i të cilit ka ndikuar pozitivisht në imazhin e partisë.

Doarsa Kica-Xhelili

Nga të gjitha aderimet në LDK, ai i Kica-Xhelilit bëri bujën më të madhe.

Doarsa, aderimin e saj në LDK e bëri në shtator të vitit të kaluar. Paraprakisht, ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo.

Doarsa Kica-Xhelili dhe Lumir Abdixhiku

”Unë sot jam në LDK është sepse LDK-ja ka pësuar reforma”, ishte një prej arsyeve që Kica-Xhelili shqiptoi pas aderimit në partinë e saj të re.

Kica-Xhelili u mirëprit krahëhapur nga anëtarët e tjerë të partisë, pavarësisht se nga kryeministri Kurti i ishte kërkuar ta rimendojë këtë veprim.

Visar Azemi

Aktivisti shumëvjeçar i shoqërisë civile, Visar Azemi, në LDK aderoi në tetor të vitit të kaluar.

Si inxhinier i diplomuar, Azemi ka shërbyer për një perspektivë të re në pikëpamjen e partisë për energjinë, dhe hapat që kryeministri mund t’i ndërmarrë për ta tejkaluar krizën energjetike.

Ai shumëshpesh e ka kritikuar Kurtin për mungesë të vendimeve për sektorin e energjisë.

Visar Azemi dhe Lumir Abdixhiku

Jehona Lushtaku-Sadriu

Aderimi i Jehona Lushtaku-Sadriut u bë fare vonë. Profesoresha universitare, para aderimit të saj ‘luante’ edhe rolin e analistes së çështjeve politike nëpër debatet telivizive në Kosovë.

Lushtaku iu bashkua familjes politike të LDK’së po ashtu si anëtare e kryesisë.

Të njëjtën e pamë edhe si pjesë e ‘kabinetit’ të Abdixhikut gjatë vizitës së tij në ShBA.

Related posts