
Kosova kurrë nuk do të jetë më nën ligjin e Beogradit, ka thënë Rama duke komentuar deklaratat e liderëve serbë se do të kërkojnë nga KFOR-i që të dërgojnë rreth 1000 trupa ushtarake e policore serbe në Kosovë.
E krejt çka duhet është vetëm dialog, dialog, dialog, ka potencuar Rama.
“Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit. Ne kemi nevojë vetëm tri gjëra: Dialog, dialog, dialog. Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe. E di më së miri se është më e lehtë ta thuash se ta bësh një gjë të tillë, por çdo rrugë e shkurtër që merret përtej dialogut të vështirë, madje të dhimbshëm midis Serbisë dhe Kosovës, jo vetëm për ato të dyja, po për të gjithë rajonin, shpie në një territor shumë të rrezikshëm”, ka shkruar Rama.
Rama theksoi se nuk është një fundvit i mirë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Ai shtoi se është e pabesueshme “që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike.
“Nuk është një fundvit i mirë për procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Rritja e tensioneve në veri të Kosovës jo vetëm nuk ndihmon, po është thellësisht shqetësuese. Është e pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike. Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë”, ka shkruar Rama në Facebook.