
Lionel Messi ka luajtur në pesë Kupa të Botës radhazi dhe në qindra ndeshje të rëndësishme botërore. Ai është njëri prej njerëzve më të famshëm në tokë. Por, nëse keni menduar se keni parë gjithçka nga Messi në dy dekadat e fundit, jeni gabuar.
Këtu në Katar, ku ai po e kërkon trofeun e vetëm që i mungon, bota është duke qenë dëshmitare e një ane të re të Lionel Messit. E cila është paksa tmerruese.
Djaloshi që e kuptoi se kishte forca të jashtëzakonshme dhe u bë superheroi i Argjentinës sot është një burrë i thinjur dhe tërbuar në kërkim të zgjidhjes së rezultateve të vjetra dhe mënjanimit të armiqve. Qytetarët e Dohës janë paralajmëruar.
Atë nuk do ta ndalë asgjë në rrugëtimin e tij për ta mbizotëruar Kupën e Botës. Njihuni me maskarain e librit komik të turneut: Të keqin Messi.
Holanda e takoi e para atë të premten mbrëma në një betejë të vrazhdë në të cilën u thye një rekord i ri me 18 kartonë të verdhë. Kur gjakderdhje përfundoi, Messi, i cili me gjasë po luan në Botërorin e fundit, shfaqi një buzëqeshje triumfuesi. “Çdo ndeshje”, tha ai, “ne e shfaqim dëshirën e njëjtë për të luftuar”.

Pas fjalimeve fyese të holandezëve, Messi u hakmor në një mënyrë që shumica e njerëzve në futboll nuk e kishin parë kurrë. Dikur i njohur si një djalë i turpshëm dhe i përulur, i cili futbollin e mishëroi në mënyrën më të pastër dhe gazmore, ai u çirr tërë natën, madje edhe kur po fitonte. Ai u tërbua edhe kur shënoi gol. Dhe pastaj iu sul trajneri holandez Luis van Gaal, i cili në të kaluarën i kishte kritikuar lojtarët argjentinas, duke i vendosur duart pas veshëve, një mesazh që thoshte, unë dëgjoj çdo gjë.
“Ne ndienim se ata na fyen”, tha pas ndeshjes Messi i tërbuar. “Është një pafytyrësi futbolli.”
Në një natë të nxehtë ku edhe bankat rezervë të të dy skuadrave u përfshinë në përleshje kur Argjentina krijoi një epërsi prej 2:0, para se t’i pranonte dy gola të shpejtë dhe të fitonte përfundimisht në penallti pastaj, Messi e kaloi shumicën e kohës duke e qortuar gjyqtarin nga Spanja, Mateu Lahoz.
Këta dy burra kanë një histori të cilën Messi s’e harron. Lahozi e kishte pas ndëshkuar Messin me karton të verdhë gjatë një ndeshjeje të tij me Barcelonën, sepse e kishte hedhur fanellën për ta festuar golin për nder të heroit të Argjentinës, Diego Maradona. Tani, Messi ndjeu se vendimmarrja e Lahozit ishte e turpshme.
Kalimi në gjysmëfinale ku e pret Kroacia nuk ndihmoi për t’ia ndrequr humorin e keq Messit. Derisa plani i tij për ta ngritur trofeun e Kupës së Botës nuk kompletohet, Messi nuk do të ndalet.

Derisa sulmuesi holandez Wout Weghorst po priste në tunel të stadiumit për t’i shkëmbyer fanellat, Messi e kritikoi nga larg, sepse mendonte se Weghorst ishte njëri nga nxitësit kryesor të fyerjeve që holandezët ia bënë argjentinasve.
“Que miras, bobo?” i bërtiti Messi në spanjisht. “Çfarë po shikon, budalla? Vazhdo ec, budalla. Vazhdo ec”.
Ndryshimi që ndodhi këtu ka qenë tronditës. Messi mbërriti në Katar si ai Leo i turpshëm dhe distancuar. Por pastaj ndodhi disfata tronditëse kundër Arabisë Saudite në ndeshjen hapëse të Argjentinës dhe diçka ndryshoi papritmas.
Shenjt e para të ndryshimit të Messit erdhën pas ndeshjes së dytë, një fitore 2:0 kundër Meksikës. Një video doli nga dhoma e zhveshjes së Argjentinës ku Messi shihet duke shkelur në një fanellë të Meksikës, një veprim i cili sipas deputetes meksikane Maria Clement Garcia tregoi mungesë të madhe respekti. Ajo e nisi një peticion në Ministrinë e Jashtme të Meksikës për t’ia ndaluar hyrjen në vend Messit. Bashkëlojtarët e Messit thanë se ai u keqkuptua.
Nuk pati keqinterpretim të asaj se çfarë ndodhi në çastet e fundit të fitores së Argjentinës 2:0 kundër Polonisë, kur sulmuesi Robert Lewandowski u përpoq t’i kërkonte falje Messit për një faull. Messi jo vetëm që nuk pranoi t’ia zgjasë dorën Lewandowskit. Ai refuzoi ta njihte praninë e tij në fushë, duke i ngulur sytë në hapësirë me një nënqeshje të akullt të një burri i cili ruan një strofkë të fshehtë brenda një vullkani.
“Ajo që ndodhi me Leon ishte një çast i çuditshëm. I shkëmbyem disa fjalë”, tha Lewandowski pas ndeshjes.

Për shumë tifozë në Argjentinë, ndryshimi i sjelljes së Messit e ka bërë atë edhe më të pëlqyeshëm dhe adhuruar.
“Que miras, bobo”, është tani në maica dhe rroba të tjera, e në gota në Argjentinë. Nuk mjaftonte që Messi mund të ishte më i miri i të gjitha kohëve. Apo që ai është golashënuesi më i mirë i Kombëtares argjentinase. Ata donin një copëz të errësirës së Maradonës nga njeriu i cili e trashëgoi fanellën me numrin 10. Ata donin ta shihnin Messin duke këlthitur.
“Kapiteni e tregoi fytyrën përsëri si lideri i një ekipi i cili nuk është i gatshëm ta zhgënjejë një komb të tërë. Messi luftoi. Messi vrapoi. Messi luftoi. Dhe Messi festoi”, shkroi e përditshmja argjentinas Clarin pas ndeshjes.
Nuk është që Messi nuk ka pasur anë të errët më herët. Ai thjesht e mbante të fshehtë.

“E vërteta është si arroganti më i madh në futboll është Messi”, Jerzy Dudek kujton fjalët e Jose Mourinhos kur ai iu drejtohet lojtarëve të Real Madridit. “Ai e mbulon gojën për t’u mbrojtur nga leximi i buzëve kur i provokon mbrojtësit. Ai i irriton kundërshtarët, edhe nëse nuk shfaq asnjë emocion në fushë”.
Ato ditë kanë kaluar tashmë dhe obsesioni gjithëpërfshirës i Messit është plotësisht i dukshëm tani. Ai nuk ka çfarë të dëshmojë më dhe vetëm një trofe të çmueshëm për ta fituar. Kushdo që futet mes tij dhe trofeut do të bëhet armik i përjetshëm.
Ekipet e mbetura në Kupën e Botës janë të paralajmëruara.