970×90
970×90
970×90
970×90

Mazreku: Kompanitë e sigurimeve paguan 46 milionë euro, nga viti i ardhshëm ndryshon ngjyra e stikersave

Mazreku: Kompanitë e sigurimeve paguan 46 milionë euro, nga viti i ardhshëm ndryshon ngjyra e stikersave

Nga janari i këtij viti e deri në tetor, kompanitë e sigurimeve kanë paguar hiç më pak se 46 milionë euro në emër të kompensimit të dëmeve, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Mazreku, ka folur edhe për stikersat. Ai ka thënë se nga janari i vitit të ardhshëm do të ndryshojë edhe ngjyra e tyre.

Sipas tij, ndonëse ky vendim është marrë me vonesë, i njëjti ka dhënë efekte të prekshme. Ai ka thënë se janë regjistruar më pak dëme sesa në kohën kur nuk ishte në fuqi ky vendim.

“Më 15 mars e dini që ka filluar projekti i stikerave, projekt ky i financuar direkt nga kompanitë e sigurimeve , ku qëllim kryesor ka qenë që të ulët numri i automjeteve të paregjistruara në trafik. Ky ka qenë projekt i përbashkët me Bankën Qendrore, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Policinë e Kosovës, por financimi bëhet direkt nga kompanitë e sigurimeve. Edhe pse projekt i vonuar, ka rezultate të prekshme, si nga rritja e sigurisë në trafik e po ashtu në uljen e numrit të veturave të paregjistruara apo të pa siguruara”.

“Edhe Policia e Kosovës e ka më të lehtë t’i identifikojë nga distanca veturat nëse kanë regjistrim. Më konkretisht, vetëm këtë vit, në raportet që i bëjmë në organet mbikëqyrëse, kemi raportuar se që nga janari deri në tetor, kemi 250 dëme më pak vetura që nuk kanë pasur sigurim. Në anën tjetër, pavarësisht rritjes së importit të veturave, ka rreth 35-37 mijë qytetarë që janë regjistruar e kanë dalë në trafik. Kjo pra e ka dhënë efektin e vet”, ka thënë Mazreku për EO.

Duke folur për vendimin për stikersat, Mazreku ka thënë se ka marrë konfirmime nga Policia e Kosovës se cilat vetura janë të regjistruara. Synim kanë që deri në mars të vitit të ardhshëm të mbyllet komplet cikli mujor i implementimit të këtij vendimi.

“Siç e kam paralajmëruar, stikersat do të kenë ngjyrë të ndryshuar e që qëllim ka që Policia me ditë saktë se në cilin vit ajo veturë është regjistruar. E dini se këtë vit ka qenë ngjyra e kuqe, ndërsa nga 4 janari i vitit të ardhshëm do të ketë ngjyrë të verdhë. Gjatë takimeve me zyrtarë policor në takime zyrtare por edhe në rrugë, kjo efektin e saj do ta ketë edhe vitin e ardhshëm sepse komplet do të mbyllet cikli 12 mujor i implementimit të këtij viti”, tha Mazreku.

Ai ka thënë për Ekonomia Online se ka rritje edhe të kontratave të qytetarëve me kompanitë e sigurimeve.

Vitin e kaluar kanë qenë rreth 950 mijë kontrata në total të nënshkruara, kurse këtë vit për të njëjtën periudhë janë 1. 1 milion kontrata. Sipas tij, kontratat janë të ndryshme, si për automjete, në sigurime shëndetësore etj.

“Ka rritje të kontratave. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 950 mijë kontrata në total të nënshkruara, pra i bie për auto-vetura, prona e sigurim shëndetësor, kurse këtë vit për të njëjtën periudhë janë 1. 1 milion kontrata, që është në rritje. Kjo ka ndikuar nga dinamika e kompanive, e tek vetëdija qytetare që e kanë parë se çfarë rëndësie të veçantë kanë bartja e rrezikut duke blerë një polisë të sigurimit. Nëse flasim edhe për dëme ka trend pozitiv edhe tek pagesa e dëmeve deri më tani në periudhën janar-tetor janë paguar hiç më pak se 46 milionë euro nga komplet kompanitë e sigurimeve në Kosovë”, u shpreh ai.

Related posts