
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë është zbatuar rekomandimi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK) për katër zyrtarët policorë nën dyshimin e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës.
Ai theksoi se IPK ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim.
“Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policor që janë angazhuar në gjithë rastin e tashmë të ndjerës Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan.
Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim.
Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”, ka shkruar Sveçla në Facebook.