
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve në konferencë për media u pyet edhe për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të, ai pohoi se raportet me SHBA-të, vazhdojnë te jenë të mira.
Ndërsa theksoi se për të gjitha vendimet që marrin janë në dijeni edhe Bashkimi Evropian (BE) por edhe ShBA-të.
“A do ta dëgjoni Amerikën a po prishemi me Amerikën a po kupton. Nuk ndodhin këto gjëra, e kuptoni nuk kemi ne kështu raporte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç i përshkruani ju sikurse gjyshi me nipin. Unë nuk e di kush po jua lexon sepse s’besoj që po i lexoni vetë e po mendoni kështu”.
“Edhe një herë asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtarë amerikan, asnjë zyrtarë evropian. Na jena në kontakt të vazhdueshëm me ta”.
Sipas kryeministrit, mënyra se si është duke u raportuar që ka Kosova marrëdhëniet me SHBA-të është ofendim edhe për këtë shtet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë asi komunikatash çfarë i cituat ju, pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë për besë kjo mënyrë është edhe ofendim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Kronologjia e ngjarjes
Madje Kurti, para gazetarëve sqaroi edhe kronologjinë e ngjarjes që ka sjellur deri tek një situatë e tillë në Veri.
“Qëllimi i Beogradit nuk është për të mos pranuar planin, por qëllimi i tyre është për ta maskuar refuzimin e planit dhe tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi. Ajo çfarë ne kemi thënë është se ne e kemi parë si hap në drejtimin e hapur meqenëse mocionet që përdorën në atë propozim janë vlera, për dallim nga propozimet e tjera”.
“Gjithçka ka filluar më 18 gusht pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes, unë jam i bindur që më deri me datën 18 gusht nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, kemi pasur dialog për dakordime të vogla, kemi pasur dialog për konsusione nganjëherë edhe dialog për dialog”.
Kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe pikat që kanë qenë në takim si dhe takimin që kishte zhvilluar me këshilltarët e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.
“Mirëpo, më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale dhe më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardhur në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltaret e lartë të Scholz dhe Macron së bashku edhe me ndërmjetësuesin Lajçak ata kanë sjellur përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë që janë bazë e mirë unë i kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre, mirëpo unë nuk e kam refuzuar”.
“Për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës ne jemi kërcënuar disa herë duke thënë se do të krijojmë trazira, unë edhe një herë bëj thirrje që ata të kthehen në institucione të Kosovës”.