Presidenti serb gjatë së martës duket se ka pretenduar që dronë të panjohur po vëzhgojnë kazermat dhe pozicionet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.
Madje sipas këtij raportimi, dronët ishin vendosur mbi zonën në Merdarë dhe afërsi të Rashkës.
“Novosti” tha se avionët serbë “migovi 29” janë ngritur në vëzhgim për një sulm të mundshëm nga dronët që sipas tyre, vinin nga armiku.
Tutje, pretendohet se pas pak kohe, dronët u larguan nga hapësira ajrore e Serbisë dhe nëse nuk do të ndodhte një gjë e tillë, do të ishin shkatërruar.
Lidhur me këtë ka folur edhe kryeministrja Bërnabiq. Kjo e fundit deklaroi se do të rrëzohet secili dron që monitoron kazermat serbe.
“Dronët po filmonin një pozicion në zonën tonë të sigurisë tokësore dhe në dy kazermat tona. Dhe unë u informova nga presidenti i Republikës dhe Komandati i Forcave të Përgjithshme të Ushtrisë. Ai dha urdhër që të rritet mbrojtja në ajër, kështu që ky rregull është në fuqi dhe do të mbetet në fuqi”.
Veç kësaj ajo shtoi se nuk mund të japë më tepër detaje, pra të kujt ishin dronët ose diçka e tillë.
“Ka mundësi që presidenti Vuçiq të flasë. Ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, mund të flasë po ashtu”, ka thënë Bërnabiq në RTS.