
Një fëmijë 2-vjeç dyshohet se është rrahur të hënën nga një edukatore e institucionit parashkollor në Prishtinë. Edukatorja e kopshtit “Xixëllonja” ka përfunduar në Polici, pas denoncimit të rastit nga nëna e fëmijës. Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar policinë që të siguroi pamjet nga kamerat e sigurisë që ndodhen brenda këtij institucioni.
Nëna e fëmijës ka dërguar në redaksinë e IndeksOnline, fotografi të fëmijës ku shihet skuqeje e faqes se majtë si pasojë e goditjes me shuplakë.
Ajo ka dërguar edhe raportin e mjekut i cili konstaton se fëmija është i goditur me shuplakë.
Nëna e fëmijës, duke mbetur anonim për publikun, ka rrëfyer për IndeksOnline ngjarjen që thotë t’i këtë ndodhur në kopsht.
“Drejtoresha kishte deklaru se fëmija ka qenë në gjumë edhe i ka bo me dorë vet shenjat, unë fëmijën jam hi e kom pa në dhomë, djali u kon shtritë ama u kon qut. Edhe u tut me u qu, unë e kom thirr djalin tem, çdo herë që kom shku me marr djalin, djali me ka kesh, këtë herë kur e thirra djalin tem, s’guxoj me u qu prej shtratit hiq. Edhe kur jom afru, kur me ka pa djali qe jom une menjeherë u qu me ka përqaf, në ato momente nuk kom mujt me ja vërejt fytyrën sepse djali më ka ndejt veç në gjoks tu u tut e tu kajt”, ka rrëfuar nëna e fëmijës për IndeksOnline.

Ajo thotë se kur ka dalë jashtë, e ka vërejtur që fëmija e ka një shuplak në fytyrë dhe është kthyer sërish në kopsht për të ditur se çfarë ka ndodhur.
“Jom hi maspari në derë të drejtoreshës, ajo nuk u kon aty. U kon dikush që e zëvendësojke edhe jom kthy i kom thon po du me ditë qekjo në fytyrë çka është? Nuk me dha kurrfarë përgjigje veç me tha shko bisedo me mësuesen, kur jom kthy te mësuesja, mësuesja ma boni nuk di unë, unë e kom pas ndërrimin tjetër. E kom pyet djalin në prezencë të mësueses, djali jem a ta ka hi mësuesja, djali mu ka përgjigje po edhe ja ka nis me kajt”, ka thënë dnër të tjera nëna e shqëtësuar me situatën që i ka ndodhur.
Ajo thotë se rastin e ka lajmëruar në polici ndërsa këta të fundit sipas saj janë duke e hetuar ngjarjen.
Por dejtoresha e këtij institucioni, Mimoza Morina – Veseli dje në një prononcim për media ka mohuar pretendimet e nënës së 2-vjeçarit pasi sipas dëshmisë së edukatores, nuk është ushtruar dhunë ndaj fëmijës.
“Edukatorja e as nëna nuk e kanë vërejt se çka ka fëmija deri në momentin kur e ka marrë nëna nga kopshti. Fëmija ka dalë nga dera e hyrjes dhe e ka vërejt nëna që djali ka shenja në fytyrë, nëna është kthyer tek edukatorja dhe i ka thënë se dyshoj që i ke ushtru dhunë fizike sepse po dyshoj që janë shenja të gishtave. Në fakt, kanë qenë shenja të gishtave por sipas matjeve në polici dhe të ekspertëve bashkë me ta kam qenë edhe është mbetë me policët hetues që ekspertiza ta jap fjalën e fundit. Por, sipas shenjave të para që janë, ajo është dora e fëmijës sepse përshtatet 100% me dorën e fëmijës”, ishte shprehur ajo për Sinjalin duke thënë se sipas të gjitha gjasave nuk është e vërtetë për atë se çka nëna dyshon./IndeksOnline/