970×90
970×90

Milan e ka seriozisht për Brojën, kontakton sërish agjentët e sulmuesit shqiptar

Milan e ka seriozisht për Brojën, kontakton sërish agjentët e sulmuesit shqiptar

Kampioni në fuqi i Italisë, Milan, dëshiron me çdo kusht ta ketë në radhët e veta sulmuesin shqiptar, Armando Broja. Ripërtërirja e repartit sulmuesit është njëra ndër arsyet pse dëshirohet ai.

Armando Broja vazhdon të jetë në majën e listës së lojtarëve që kërkohen nga Milani. Paolo Maldini në petkun e drejtorit të klubit e ka pikëtuar pikërisht 21-vjeçarin si lojtarin ideal për ta përforcuar repartin sulmues të ekipit.

Gjatë mbrëmjes, agjencia e lajmeve italiane, “Tuttomercatoweb”, raportoi se drejtuesit e klubit të Milanit kanë kontaktuar sërish agjentët e sulmuesit të Chelseat.

Ashtu siç dihet, së voni Broja ka nënshkruar kontratë të re me klubin londinez. Madje, ajo ishte me një kohëzgjatje mjaft të lartë, respektivisht prej 6 viteve.

Ai do të përfitojë deri në vitin 2028 plot 3 milionë euro në sezon, duke shtuar këtu edhe bonuset që janë të përfshira në kontratë.

Milani është i vetëdijshëm se ka një problem enorm sa i përket mesatares së moshës në repartin sulmues me Ibrahimovic (41-vjeç) dhe Giroud (36-vjeç) që nuk garantojnë edhe për shumë sezone tjera në vijimësi të formës.

Në anën tjetër, sulmues belg, Origi, nuk po ia del në asnjë rast që ta ndihmojë skuadrën në këtë fillim të sezonit, edhe kur i njëjti po inkuadrohet në fushë nga pjesa e dytë.

Këtu buron edhe nevoja për të investuar të një sulmues i ri, tek i cili do të mund të fokusohej e ardhmja e ekipit. Armando Broja shihet si profili i duhur në këtë aspekt.

Elementi kryesor që mund të shndërrohet në një pengesë serioze është vlera e kartonit të lojtarit. Për momentin, në bazë të shkrimit të “Tuttomercatoweb”, Chelsea ia ka bërë me dije Milanit se të paktën 40 milionë euro e vlerëson kartonin e tij.

Kontratë afatgjate, por pak minuta në fushë

Një gol në Premierligë, 174 minuta të luajtura, ku më së shumti që i është dhënë në një ndeshje është prej 31 minutave.

Shumë pak për një futbollist që aspiron të jetë në mesin e sulmuesve më të ndritur të së ardhmes. Si me Tuchel, ashtu edhe me Potter – shumë pak minuta i janë besuar Brojës në fushë.

Kësisoj, Milan shpreson në këtë faktor, sado që ka nënshkruar tek para pak javësh një kontratë serioze me klubin anglez.

Klubi “kuqezi” gjatë këtyre javëve në fokus kryesor ka finalizimin e vazhdimit të kontratës së Leaos. Nëse një ujdi e tillë nuk do të arrihej, sipas shtypit italian do të ishte një klithmë e cila do t’i nxiste Maldinin dhe Massaran që ta bënin një presion më të madh për ta sjellë në “San Siro” sulmuesin Armando Broja.

Ndërkohë, nëse flasim për kohën e tanishme, sulmuesi 21-vjeçar shpreson shumë që të gjejë hapësirë te Chlesea posaçërisht në ndeshjet e Kupave në Angli, si Carabao dhe FA.

Related posts