970×90
970×90

Çka pritet të ndodhë sot në Këshillin e Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën?

Çka pritet të ndodhë sot në Këshillin e Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën?

Më 30 shtator presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, javë më parë kishte thënë se ka pritje të larta që brenda mandatit gjashtëmujor të Presidencës çeke, do të finalizohet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Është një proces që përbëhet nga çështjet teknike. Bashkimi Evropian do të rishikojë shumë shpejt aspektet teknike dhe unë shpresoj shumë që Presidenca çeke do të arrijë deri te një marrëveshje, dhe Kosova do të ketë liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të parashikojmë datën. Pritjet e mia për vendimin janë shumë të larta, dhe kjo është pjesë e agjendës sime politike”, kishte thënë Lipavsky në një konferencë për media në Prishtinë.

Ai madje kishte bërë të ditur se i ka kontaktuar edhe disa zyrtarë nga Holanda për këtë çështje dhe se ata janë pajtuar që të analizohen çështjet teknike dhe më pas ato politike.

Në anën tjetër Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, e kishte cilësuar veten si një “optimiste e kujdesshme” kur fjala bie për liberalizimin e vizave gjatë presidencës çeke të BE-së.

“Nganjëherë burokratët brenda shteteve anëtare mund të gjejnë rrugë për të bllokuar procese, mirëpo unë e shoh vullnetin politik tani te liderët e BE-së që të mos bllokohet një gjë e tillë. Prandaj, optimizmi është aty, por duhet ta kuptojmë që procedurat pastaj mund të marrin pak kohë”, kishte deklaruar Osmani.

Megjithatë ajo nuk ishte treguar aspak modeste, duke thënë se kthesa për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte bërë pikërisht në samitin e Bashkimit Evropian, më 23 qershor ku ajo ishte pjesëmarrëse në cilësinë e Presidentes së Kosovës.

“Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues”, pati thënë ajo.

Cilët do të jenë hapat pas diskutimeve në Këshillin e BE-së?

Në takimin e grupit punues për vizat në Këshill do të shqyrtohet raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës.

Nëse ka pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë tek ambasadorët e këtyre vendeve do të bartet përgjegjësia që të japin dritën e gjelbër për nisjen e diskutimeve trepalëshe – mes Parlamentit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian.

Marrë parasysh se Komisioni dhe Parlamenti nuk kanë asnjë rezervë për liberalizimin e vizave për Kosovën, kjo procedurë pritet të përmbyllet shpejt.

Kur në këto diskutime të arrihet pajtimi, atëherë të njëjtin do ta konfirmojnë formalisht edhe ambasadorët e vendeve anëtare.

Kjo mund të ndodhë në muajin nëntor, nëse ka vullnet politik.

Vendimi, më pas, votohet në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e pastaj edhe në seancë plenare.

Pasi Parlamenti të votojë formalisht, përfaqësuesit e vendeve anëtare, me shumicë të kualifikuar, votojnë po ashtu për këtë vendim.

Hap i radhës është konfirmimi i vendimit edhe nga ministrat e vendeve anëtare në Këshill.

E gjithë kjo, sipas pritjeve të disa diplomatëve evropianë, mund të ndodhë deri në fund të këtij viti.

Hapi i fundit, pastaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Related posts