
Ballkani do të përballet me skuadrën turke, Sivaspor, në ndeshjen e raundit të katërt të grupeve në Ligën e Konferencës.
Në konferencën për media, përveç trajnerit, Ilir Dajës, foli edhe futbollisti i ekipit therandas, Qëndrim Zyba.
Zyba theksoi që do të jetë një ndeshje e vështirë, por pret që ekipi i tij të dalë me rezultat pozitiv.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Sigurisht pas fitores në javën e kaluar, synimi është të marrim rezultat pozitiv edhe këtë herë”, deklaroi Zyba.
“E kemi parasysh se Sivasspor-i ka ardhur për pikë, por ne jemi gati dhe duhet të bëjmë një paraqitje edhe më të madhe se javën e shkuar”, shtoi futbollisti i Ballkanit.
Ndeshja do të zhvillohet këtë të enjte me fillim nga ora 21:00 në stadiumin e mbushur në “Fadil Vokrri”, pasi tashmë janë shitur të gjitha biletat.
Zyba theksoi se përkrahja e tifozëve do ta ndihmojë ekipin e tij të nxjerrë maksimumin nga kjo ndeshje.
“Me përkrahjen e madhe që do të kemi në stadium, shpresoj që do t’ia dalim. Mbushja e stadiumit me tifozët tanë na motivon shumë dhe shpresoj t’i gëzojmë me fitore”, tha mes tjerash Qëndrim Zyba.
Kujtojmë që aktualish Ballkani është lider i Grupit G, por katër skuadrat kanë nga katër pikë.