970×90
970×90
970×90
970×90

Memli Krasniqi në 23 vjetorin e PDK-së: Jemi gati ta bëjmë Kosovën vend modern e të zhvilluar

Memli Krasniqi në 23 vjetorin e PDK-së: Jemi gati ta bëjmë Kosovën vend modern e të zhvilluar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një videoadresimi ka uruar 23 vjetorin e themelimit të kësaj partie, duke thënë se PDK është forca që ka ndjekur dhe ka jetësuar ëndrrat për Kosovën.

Krasniqi ka rikujtuar se PDK u ka prirë proceseve të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

“Themeluesit dhe udhëheqësit tanë historikë, në luftën për liri dhe pavarësi, bashkë me popullin, realizuan ëndrrën shekullore të shumë brezave. Po! PDK punoi fort e pa ndalë për ndërtimin e shtetit dhe për mirëqenien qytetare. Unë dhe të gjithë ne në Partinë Demokratike të Kosovës jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj familjeje të madhe politike”, tha lideri i PDK-së.

Krasniqi theksoi se tani PDK është e gatshme për të krijuar kushtet për një shoqëri të drejtë për të gjithë, ku të rinjtë do të gjejnë perspektivë në Kosovë.

“Ne jemi të parët që do të zbatojmë formulën përfaqësuese 50% me 50% në mes të grave dhe burrave. Kemi ristrukturuar organizimin nga degët e deri në nivelin qendror. Kemi formuar Kabinetin për Qeverisje të Mirë me ekspertë të dëshmuar dhe i kemi dhënë rinisë edhe më shumë hapësirë në vendimmarrje”, shtoi ai.

Krasniqi është zotuar se PDK do të ofroj një alternativë qeverisëse për të gjithë, pa dallim.

“Një sistem arsimor më të mirë për fëmijët tanë, vende të punës të paguara mirë, sigurime shëndetësore për të gjithë, të drejta të mbrojtura për punëtorët edhe në sektorin privat, mbështetje konkrete për ndërmarrësit dhe bizneset vendore, ambient të sigurt për secilin qytetar dhe mundësi të barabarta për të gjithë – këto janë shtyllat për Kosovën tonë të re, si vend modern e i zhvilluar. Kjo tani është beteja për të ardhmen tonë. Ky është zotimi ynë për Kosovën tonë. Partia Demokratike e Kosovës është gati!”, u shpreh Krasniqi.

Related posts