
Anësori i krahut të majtë i të rinjve te Eintracht Frankfurt, Dritan Maqkaj është i ‘etur’ për të pasur sukses te Kombëtarja e Kosovës, kështu se paku u deklarua gjatë një bisede për gazetën Nacionale.
Talenti kosovar ditën e diele u prezantua zyrtarisht si prurje më e re të “Dardanët”, gjë për të cilën gazeta Nacionale kishte raportuar plot dy muaj më parë.
Lidhur me largimin nga Gjermania (ishte pjesë e grupmoshave të reja) dhe ardhjen te Kosova, Maqkaj tregon se e ka bërë me plotë dëshirë që t’ia plotësojë dëshirën babait të tij.
“Arsyeja kryesore ishte që t’ia plotësojë dëshirën e babait tim për të luajtur për vendlindjen ku ka lindur”.
Ai shpjegon se tani është i fokusuar që të bind edhe lojtarë të tjerë që ta ndjekin këtë rrugë të tij.
“Aspak e vështirë nuk ishte që t’i bashkohesha Kosovës, pasi dua edhe që të bindë edhe shumë bashkëlojtarë të tjerë që ta ndjekin këtë rrugë sikurse unë”.
Tutje, Maqkaj komentoi kontaktet me FFK-në, që arritën ta bindin pas më shumë se një viti kontakti, derisa tani pret ftesë nga Kombëtarja A e Kosovës.
“Kontakti i parë ka qenë Isa Sadriu, disa herë për një vit na ka kontaktuar këtu në Gjermani, kurse kohët e fundit falënderimi shkon te Fekmi Kongjeli dhe personalisht presidenti Agim Ademi dhe Muharrem Sahiti që kanë ardhur këtu në Frankfurt dhe na kanë kontaktuar personalisht”.
“Unë jam mirënjohës ndaj atyre për gatishmërinë që kanë treguar, derisa dua që sa më shpejtë të angazhohem te Kosova A. Por, unë kam vullnet dhe dëshirë që të arrijë sa më shumë suksese te Kombëtarja e Kosovës dhe do të angazhohem maksimalisht”.
Në fund, 18-vjeçari tregoi se është afër që ta fitojë edhe kontratën e parë profesionale te Frankfurt, pas punës së madhe që është duke bërë.
“Te Frankfurt se pari të arrijë atë që e kam në zemër, që është kontrata profesionale dhe besoj që më punën dhe angazhimin që jam duke bërë do ta arrij sa më shpejtë”, përfundoi ai për Nacionalen.
Dritan Maqkaj – futbollisti më i ri i Kosovës U21
Maqkaj duke marrë parasysh moshën, fillimisht do të luajë të “Dardanët e rinj”, kuptohet nëse ftohet nga përzgjedhësi Afrim Tovërlani.
Në komunikatën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), shkruhej: “Ai fillimisht pritet të luajë për Kombëtaren U21, derisa duke pasur parasysh potencialin e tij të madh, në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe pjesë e Kombëtares A”.
Maqkaj ka qenë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë U18, duke debutuar më 15 nëntor 2021, ku zhvilloi katër paraqitje dhe realizuar një gol.
Ndërkohë, këtë edicion për U19-shat e Frankfurtit ka zhvilluar shtatë paraqitje në të gjitha garat duke gjetur një herë rrugën drejtë rrjetës.