
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke u gjendur e pranishme në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Pragë, ka treguar për një takim që zhvilloi me kancelarin gjermani, Olaf Scholz si dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron.
Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Osmani theksoi se Kosova është palë konstruktive dhe se është e interesuar në mbyllje të dialogut me njohje të ndërsjellë.
“Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falenderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut. Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu, vetë Osmani përmes një postimi në Twitter, është shprehur falënderuese ndaj përkushtimit të Macronit dhe Scholzit në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Mirënjohëse ndaj presidentit Emanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz për takimin e sotëm, për mbështetjen e tyre për Kosovën dhe përkushtimin e palëkundur për paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkroi Osmani në Twitter.
Në këtë samit, Osmani iu bashkua 44 liderëve në kontinentit evropian për të diskutuar nxitjen e dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.