
Ka një javë që janë zhdukur dy vajza nga Peja dhe ende nuk dihet diçka për fatin e tyre.
Policia e Kosovës më 25 shtator kishte njoftuar se dy persona kanë raportuar në Polici se vajzat e tyre janë larguar nga shtëpitë dhe nuk janë kthyer më. Rasti i zhdukjes ka ndodhur më 23 shtator, ndërsa vajzat janë nga fshati Treboviq dhe Qyshk i Pejës.
Ndërkaq, sot deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami theksoi se duhet të çohet i gjithë shteti në këmbë derisa të gjenden dy vajzat.
Lexoni të plotë reagimin e Bajramit:
Sot një javë, dy studente nga Peja janë zhdukur. Vajzat sipas raportimeve kanë dalë nga shtëpitë e tyre fshati Qyshk e Treboviq dhe janë nisur për në Universitetin ‘Haxhi Zeka’ në Pejë.
Si nënë e dy vajzave ky lajm më ka tmerru dhe prej momentit që e kam dëgju nuk mendoj asgjë tjetër.
Për çudi, kjo ngjarje po kalon pa shumë vëmendje, pa shumë angazhim të shtetit, të institucioneve shtetërore.
Ku është Ministri i Brendshëm?
Ku është Policia e Kosovës?
Ku është Prokuroria e Shtetit?
Ku është Agjencia Kosovare e Inteligjencës?
Ku është Forca e Sigurisë së Kosovës?
Me kujtohet më 2003 kur kam qenë studente në Angli, u patën zhdukë 2 vajza 13 vjeçare. Me javë të tëra, derisa ato janë gjetur krejt kanalet televizive, krejt gazetat, krejt aparati shtetëror nuk kanë fol për asgjë tjetër pos për dy vajzat e zhdukura.
Te ne, për këtë rast ka heshtje pothuajse në të gjitha institucionet.
Në këtë situatë, ministri i Brendshëm, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Policisë bashkë me Shefin e AKI-së e edhe me Komandantin e FSK-së do të duhej të mbanin konferenca të përditshme. Për të treguar se çka po bëjnë institucionet për rastin.
Kjo është ngjarje e dhimbshme. Jam e sigurt se derisa vajzat të gjenden për familjet dhimbja është me e rëndë se vdekja.
Ju bëj thirrje të gjithëve kudo që jeni të kontribuoni në zbardhjen e rastit. Ndërsa, institucionet e shtetit, të gjitha bashkë edhe me mediat, të çohen në këmbë derisa të gjenden dy vajzat e zhdukura.
Ndryshe, babai i njërës nga të zhdukurat në një deklaratë për Klan Kosova ka thënë se nuk kanë ndonjë të dyshuar për zhdukjen e vajzës së tyre.