
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, pas takimit të Këshillit Grevist të BSPK-së me kryeministrin Albin Kurti, tha se bisedimet kanë qenë përmbajtjesore, por nuk është arritur marrëveshje për ndërprerjen e grevës.
Në një deklarim për media, Jasharaj bëri të ditur se në këtë takim kanë paraqitur kërkesat e grevistëve, të cilat tha se janë legjitime, ndërsa në anën tjetër krerët e Qeverisë kanë folur për angazhimet e tyre për t’i plotësuar ato kërkesa.
“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur. Takimi ishte i gjatë, të dy palët i dhanë idetë e tyre. Ne ia rikujtuam kryeministrit Kurti kërkesat tona legjitime. Ata na treguan prapë për angazhimet që i kanë bërë. Takimi ishte përmbajtjesor, por për momentin asgjë s’kemi ndryshime”, u shpreh ai
Temë e nxehtë ishte edhe pakoja e fundit e Qeverisë. Ne insistuam që shtesa prej 50 eurosh e cila nuk është pranuar nga asnjë grevist në Kosovë të lëvizë. Ishim të gatshëm të bëjmë një kompromis të vogël, por Qeveria mbeti te ajo shuma e proklamuar me pakon”.
Jasharaj tutje tha se shpreson që dialogu social mes grevistëve dhe Qeverisë të vazhdojë e kryeministri të mos ua mbyll dyert.
“Lajm i mirë është që dialogu tashmë ka filluar. Por, situatën e kemi të njëjtë sepse 50 eurot e Qeverisë nuk janë pranuar nga grevistët”.